Shpella nënujore Vrello në Kanionin e Matkës është bërë shpella nënujore më e thellë e hulumtuar në botë, pasi një ekip ndërkombëtar zhytësish shpellash arriti një thellësi rekord prej 338 metrash si pjesë e ekspeditës “Vrello 2026”. Ky sukses vendosi tre rekorde botërore, ndërsa shpella zuri vendin e parë në listën botërore përpara vendeve Font Estramar në Francë dhe Elefante Bjanco në Itali.
Siç njoftoi Klubi i zhytjes “Vrello”, në periudhën nga 10 deri më 17 tetor, një ekip ndërkombëtar prej 15 zhytësish nga Maqedonia, Polonia dhe Italia arritën ta hulumtonin shpellën deri në një thellësi rekord prej 338 metrash, që është 51 metra më e thellë se thellësia e hukumtuar më parë prej 287 metrash.
Kjo vendosi rekorde botërore në tre kategori: shpella më e thellë e hulumtuar nga njeriu, zhytja më e thellë në shpellë dhe zhytja më e thellë në ujë të hapur.
Përveç thellësive të reja, ekspedita zbuloi edhe dy kanale nënujore të panjohura më parë, duke zgjeruar ndjeshëm hartën e sistemit të shpellave. Në përgjithësi, janë hulumtuar më shumë se 150 metra të rinj kanalesh shpellash, duke pasuruar më tej njohuritë tona për sistemin kompleks nënujor të Vrellos. Kanali i parë i zbuluar rishtazi ndodhet rreth 300 metra nga hyrja e shpellës, në një thellësi prej 33 metrash dhe është afërsisht 100 metra i gjatë, ndërsa i dyti u zbulua në një thellësi prej 170 metrash dhe lidhet me kanalin kryesor të thellë të shpellës.
Zhytja rekord u krye nga zhytësi polak i shpellave Bartlomiej Pitala dhe i gjithë operacioni zgjati nëntë orë. Kthimi i tij i sigurt u monitorua nga 12 zhytës sigurie të vendosur në thellësi të ndryshme në shpellë, ndërsa një ekip koordinimi me mbështetje mjekësore dhe shpëtimi ishte i angazhuar në sipërfaqe.
Për nevojat e ekspeditës, ekipi vendor ndërtoi dhe instaloi në mënyrë të pavarur një dhomë ajri nënujore – një habitat, në një thellësi prej tetë deri në nëntë metrash dhe rreth 130 metra nga hyrja e shpellës. Dhoma shërbeu si vend për zhytësit për të qëndruar gjatë procedurave të gjata të dekompresionit.
Deri më tani, Vrello renditej si shpella e tretë nënujore më e thellë e hulumtuar në botë, duke arritur në 287 metra. Me thellësinë e matur rishtazi prej 338 metrash, shpella në Matkë zë vendin e parë në listën botërore të sistemeve të shpellave nënujore, përpara Font Estramar në Francë (312 metra) dhe Elefante Bjanco në Itali (292 metra).

