Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka vlerësuar “me shumë risi” buxhetin për vitin 2026. Ai ka paraqitur para kabinetit planet për ndarjet buxhetore.

Ai ka thënë se buxheti do të jetë në vlerë 4 miliardë euro.

“Edhe ky buxhet do të ketë shumë risi. Së pari, është buxhet në vlerë 4 miliardë euro ku ¼ apo rreth 1 miliard janë buxhetuar për investime kapitale. Një risi do jetë dhënia e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik. Është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë më 0.5% për çdo vit përvojë pune për dallim nga ajo që kemi pasur më herët ku zbatohej rritja vetëm 0.25% për 15 vjetët e para”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se buxheti 2026 përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë, lehona, pagesa për të rritur dhe gra që angazhohen me Superpunë, si dhe kompletim i reformës së asistencës sociale e mbështetje të tjera.

“Me këtë buxhet rritet mbështetja për barna esenciale por edhe mbështetjka për kulturën dhe sportin”.

Kurti ka thënë se do të ketë ndryshime edhe për sektorin privat e pensionistët.

“Kemi lajm të mirë edhe për sektorin privat. Kemi propozim për rritje të pagës minimale që do ndikoj te 150 mijë të punësuar. Ka lajme të mira edhe për pensionistët sepse nga 120 pensioni do bëhet 150. Kam premtuar që do të ketë lajm të mirë edhe për nëna. Nga muaji nëntor shtesat për të gjithë fëmijët do të rriten për 50 për qind. Meqë kemi kuvend të konstituuar sot do ta dërgojmë në Kuvend edhe buxhetin për komunat Prishtinë, Gjilan, Zubin Potok”.

Qeveria në detyrë shqyrton Projektbuxhetin për vitin 2026

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme pritet që të shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2026.

Gjithashtu Qeveria do të shqyrtojë edhe kërkesat e Komunës së Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin-Potokut, për aprovimin e buxhetit pas miratimit të buxhetit për vitin 2025 nga kuvendet komunale.

Bazuar në Ligjin për ekzekutivin, qeveria në dorëheqje e edhe ajo në detyrë nuk kanë të drejtë të sponsorizojnë ligje, por ndalesa nuk vlen për buxhetin.

Në rendin e ditës të mbledhjes së Qeverisë në detyrë janë edhe disa pika të tjera.

sqShqip