Koment nga Amerika: Pse po vonohet Rruga e Arbërit, apo duhet të manipulohen edhe qindra miliona tjera?
Shkruan: Ylber Pilku, New York/SHBA
Pse po vonohet Rruga e Arbërit, apo duhet të vidhen edhe më shumë para?
Disa pjesë të Rrugës së Arbërit janë promovuar me pompozitet nga qeveritarët, duke krijuar përshtypje tek qytetarët shqiptarë se kjo rrugë është përfunduar. Mirëpo bëhet fjalë për propagandë të rrejshme, sepse shumë segmente të kësaj rruge me rëndësi vitale për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, ende janë në gjendje të mjerushme, e madje të pakalueshme.
Premtimet për rregullimin e tyre nuk ndalen, por gjerat në teren nuk ndryshojnë fare.
Kjo rrugë, që duhej të kishte përfunduar moti, sipas mendimit tim vonohet qëllimisht nga Qeveria e Edi Ramës.
Qëllimi i parë është që edhe më tej të vazhdojë të lihet pasdore rajoni i Dibrës ku kalon kjo rrugë.
E shkaku i dytë mendoj se është rritja artificiale e kostos së ndërtimit të rrugës, që sa më shumë para të përfundojnë në xhepat e Rilindjes plaçkitëse.
Mendimi im është se në Shqipëri kemi qeverinë më të korruptuar në Ballkan dhe Evropë dhe nuk e kam të qartë se si ambasadorja Yuri Kim e përkrah aq shumë këtë qeveri.
Është e qartë se prapavijë korruptive ka edhe projekti i Skavicës. Ky projekt që do të shkatërrojë me pasaoja të papara ekologjinë e Dibrës, insistohet të ndërtohet poashtu për përfitime materiale, duke manipuluar me koston e harxhimeve.
Janë në pyetje shuma marramendëse qindra milionëshe, me të cilat synohet të mbulohet sadopak gënjeshtra me Portin e Durrësit, respektivisht me projektin “Durrësi si Dubai”. Sa më shumë po del në shesh gënjeshtra për këtë projekt, aq më agresive bëhet qeveria në shpifjen e harxhimeve artificiale ku mund të bëhen manipulime dhe ku mund të përvetësohen qindra e qindra miliona.
Në krejt këto malverzime mendoj se janë të kyçur edhe Alibeja dhe përkrahësit e tij, të cilët janë përkrahësit më besnik të Edi Ramës, madje edhe më besnik se vetë zyrtarët e PS-së.