Sllovenia propozon ndryshim të kufijve në Ballkan, në Kosovë, Bosnje dhe Maqedoni
Skenat politike të Bosnje e Hercegovinës dhe Sllovenisë janë tronditur nga lëvizjet e pretenduara të udhëheqjes shtetërore sllovene, e cila, sipas tyre, e ka vizionin e kompletimit të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cituar burime të paemërtuara në Bruksel, kryeministri slloven Janez Jansha i ka dorëzuar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, një dokument mbi prioritetet e presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, siç thuhet, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë”, raporton gazeta kroate “Jutarnji.hr”.
Me këtë, siç shkruan “B92″pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e Këshillit Evropian për një nga prioritetet e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin do ta marrë Sllovenia nga 1 korriku i këtij viti.
Nga Brukseli aktualisht arrijnë informacione kontradiktore për ekzistencën e dokumentit të diskutueshëm.
Korrespondenti i gazetës sllovene “Delo” nga Brukseli, Peter Zherjaviq, njoftoi në llogarinë e tij në Twitter se i shtë konfirmuar nga zyra e Charles Michel se ai kishte marrë ‘ non – paper’ nga Jansha, në mënyrë që të njoftojë në më pak se gjysmë ore: “Nuk mund të konfirmojmë që kemi marrë ‘non-paper’”, përcjell Telegarfi.
Gjithçka filloi me artikullin e portalit të BeH “Politički.ba”, për të cilin thuhet se është i lidhur me komunitetin lokal të inteligjencës, i cili njoftoi se Jansha angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit Vuçiq -Thaçi, i cili ishte në opsion vitin që shkoi derisa Donald Trump ishte presidenti i SHBA-së, por ai u kundërshtua fuqimisht nga Gjermania, shkruan gazeta kroate “Jutarnji.hr”
Në këtë artikull thuhet se Jansha ka shkuar një hap tutje, duke parashikuar mundësinë e shkëputjes së Republikës Srpska, bashkimi i pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me shumicën shqiptare në Shqipëri dhe bashkimi i Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.
Një variant rezervë i planit të pretenduar të Janshas është formimi i tre republikave kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia dhe Kroacia, sipas portalit “Politički.ba”, do të kishin lidhje të ngushta me vendet e tyre amë, ndërsa republika boshnjake do të fitonte një korridor sipas ujërave ndërkombëtare detare, që do të garantohej nga NATO.
Shkrimi i këtij mediumi boshnjake-hercegovas ndoshta nuk do të kishte jehonë sikur mos ta ngrehte në një nivel më të lartë anëtari i Presidencës së BeH, Zhelko Komshicq nga zyra e të cilit ftuan në bisedë ambasadoren sllovene në BeH, Zorica Bukinac.
Anëtarët e Presidencës së BeH, Xhaferoviq dhe Komshiq, gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve të mëparshme të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në lidhje me shpërbërjen e BeH. Ata deklaruan se nuk ka asgjë nga ndarja paqësore, respektivisht shpërbërja e Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa Dodik [kryetari i Republikës Srpska dhe anëtari i presidencës së BeH] konfirmoi se beson në atë mundësi, përcjell Telegarfi.
Në takimin e mbajtur, ambasadorja sllovene e siguroi Komshiqin se politika e Sllovenisë ndaj BeH ka ndryshuar dhe se Sllovenia mbështet rrugën evropiane të BeH në përmbushjen e kushteve për t’u anëtarësuar në BE, raporton Radio Sarajevo.
Nga zyra e presidentit slloven Borut Pahor njoftuan se presidenti nuk ishte i informuar me përmbajtjen e pretenduar të ‘non –paper” të cilën kryeministri slloven Jansha ia ka dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Michel.
“Meqenëse ai [Pahor] nuk e di përmbajtjen, nuk mund ta komentojë atë. Ndryshe presidenti Pahor është një avokues i BeH, integritetit të saj territorial, perspektivës Evropiane dhe zhvillimit paqësor, të cilin gjithmonë e thekson”, thanë nga kabineti i Pahor, duke shtuar se Pahor nuk mbështet shpërbërjen e Bosnjës e Hercegovinës, por mbështet pranimin e saj në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.
Jansha tashmë i është përgjigjur shkrimeve në media, duke shkruar në mediat sociale se Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, për herë të fundit e ka takuar vitin e kaluar dhe se për këtë arsye do të ishte e vështirë t’i dorëzojë diçka fizikisht në shkurt ose mars të këtij viti.
Jansha thekson se Sllovenia po kërkon zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, “por që artikuj të tillë [në media] po përpiqen të parandalojnë atë qëllim”.
Në ndërkohë, portali slloven ‘24ur’ raportoi se kishte marrë konfirmimin se dokumenti i diskutueshëm sekret vërtetë ekziston, por supozohet se ai ishte dërguar jashtë kanaleve të zakonshme diplomatike.
“As përfaqësuesit më të lartë sllovenë në Bruksel nuk e kanë parë atë”, shkruan ‘24ur’, përcjell Telegarfi.
Disa burime madje pretendojnë se dokumenti do të rregullonte kthimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë Veriore Nikola Gruevski nga azili në Hungari.
Ministria Sllovene e Punëve të Jashtme i tha agjencisë “STA” se kishte parë vetëm një “non – paper” për Ballkanin Perëndimor, bëhet fjalë për atë kroat nga fundi i vitit të kaluar, i cili në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim të kufijve.
Eurodeputetët sllovenë Klemen Groselj dhe Irena Joveva deklaruan se Sllovenia duhet fillimisht të mbështesë procesin e mëtejshëm të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe të luajë rolin e një ndërmjetësi të sinqertë në përputhje me vlerat, parimet, traktatet dhe marrëveshjet evropiane, pa dashur për të ndryshuar kufijtë midis shteteve në rajon.
E njëjta media paraqet kryeministrin slloven Janez Jansha si avokatin më të zëshëm të “kompletimit të shpërbërjes së Jugosllavisë”, duke pretenduar se ai tash një kohë të gjatë ka shtyrë konceptin e “Serbisë së Madhe” dhe “Shqipërisë së Madhe”.