Maqedoni

Zëvendes ministri Abedini takoi bujqit e Zhelinës, bisedohet hapja e njësisë rajonale

Zevendes ministri i bujqësisë, Abdylshyqyr Abedini takimin e parë me bujqit e Rajonit të Pollogut, e realizoi në Komunën e Zhelinës. I shoqëruar nga ekipi i tij, Abedin u takua me bujqit e kësaj ane, e që ishte hera e parë që bëhet një takim i këtij lloji për të dëgjuar nga afër problemet e kërkesat e tyre.

Me të njejtat probleme që hasen bujqit gjithandej, hasin edhe bujqit në komunën e Zhelinës. Probleme rreth subvencionimit në kohë, informatat e pamjaftueshme, qasja deri në institucionet në kuadër të ministrisë dhe mungesa e shkollimit të bujqive të rinj.

“Kërkesat e tyre do i kemi parasysh dhe për një afat të shkurtër do mundohemi që t’i zgjidhim dhe t’u ofrojmë bujqive kushte sa më të mira, duke e pasur parasysh se bujqësia është shumë e rëndësishme për vendin tonë.

Janë rritur subvecionet në blegtori dhe me këtë rritet mbështetja e qumështit të klasit të parë, i lopës prej 3.5 denarë në 4.5 denarë dhe qumështi i dhive nga 4.5 denarë në 5.5 denarë. Gjithashtu, është rritur edhe mbështetja për kokë viçi, nga 2.800 në 3.100 denarë.

Ajo që hasëm ishte edhe mungesa e njësisë rajonale në këtë komunë, e për të cilën bujqit detyrohen të udhëtojnë deri në pikën tjetër më të afërt për kryerjen e punëve.
Hapja e një njësie rajonale është e nevojshme dhe kjo do të lehtësonte qasjen e tyre deri tek informacionet përsa i përket të gjitha subvencionimeve në kuadër të ministrisë sonë dhe kryerjen e punëve më lehtë e më afër”, premtoi në këtë takim Abedini, duke shtuar se kjo do të shkurtojë hallet e bujqve në Zhelinë, por do të hapen edhe vende të reja pune.

Sipas tij, Trajtimi i barabartë i të gjithë bujqive dhe ofrimi i kushteve më të mira për to, do të mundësonte që të mos braktiset bujqësia dhe do të nxiste edhe qytetarët e tjerë të merren bujqësi.