May 16, 2024
Rajon - Botë

Rritet në 31 numri i ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë luftimeve në Gaza

Një tjetër ushtar izraelit u vra në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e të vdekurve në operacionin tokësor izraelit në enklavën e bllokuar në 31 që nga 27 tetori, transmeton Anadolu.

Ushtria izraelite në deklaratën e saj bëri të ditur se ushtari, nga Korpusi i Artilerisë, u vra në luftime në veri të Rripit të Gazës. Dy ushtarë të tjerë u plagosën rëndë.

Izraeli gjithashtu njoftoi se 31 ushtarë të tij janë vrarë dhe 260 të tjerë janë plagosur që kur filluan operacionet e zgjeruara tokësore në Rripin e Gazës më 27 tetor.

Të paktën 10.328 palestinezë, duke përfshirë 4.237 fëmijë dhe 2.719 gra, janë vrarë në sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i izraelitëve të vdekur ka arritur në rreth 1.600.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2.3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.