Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian synon të afrojë edhe më shumë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian, edhe përpara anëtarësimit të tyre zyrtar në BE.

Gjatë fjalimit të saj në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur në Bruksel, Von der Leyen theksoi rëndësinë e integrimit gradual dhe përfitimet konkrete që ky proces mund t’u sjellë qytetarëve dhe ekonomive të rajonit.

Ajo njoftoi se reformat e ndërmarra nga vendet e rajonit mund të mundësojnë zhbllokimin e 338 milionë eurove shtesë për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.

Von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian nuk duhet të presë anëtarësimin e plotë të vendeve të rajonit për t’u ofruar atyre përfitimet e tregut të përbashkët evropian.

" "

Sipas saj, përmes integrimit gradual dhe Planit të Rritjes, BE-ja synon të hapë sektorë të caktuar të tregut të saj për vendet e Ballkanit Perëndimor, në këmbim të zbatimit të reformave përkatëse.

Ajo veçoi gjithashtu përparimin në integrimin në sistemin evropian të pagesave SEPA, i cili mundëson transferta më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është zgjerimi i nismës “Roaming si në shtëpi”. Von der Leyen bëri të ditur se muajin e kaluar kanë nisur negociatat për këtë çështje me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Presidentja e Komisionit Evropian njoftoi se në fillim të vitit të ardhshëm do të nisin dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, duke marrë parasysh specifikat dhe reformat e nevojshme për secilin vend.

Në fjalimin e saj, ajo theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke përmendur rritjen e tregtisë ndërmjet vendeve, njohjen e kualifikimeve profesionale përtej kufijve, roaming-un rajonal dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave përmes korridoreve të gjelbra.

Në përfundim, Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë në përparimin e rajonit dhe se suksesi i procesit të zgjerimit duhet të matet përmes ndryshimeve konkrete në jetën e qytetarëve.

sqShqip