Në konferencën me gazetarët, ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përqendruar në duart e tij të gjitha levat e pushtetit.

Spiropali deklaroi se pushteti nuk mbahet përmes forcës dhe arrogancës, por përmes besimit dhe respektimit të dinjitetit njerëzor. Sipas saj, kur pushteti mbivendoset mbi arsyen, lirinë dhe dinjitetin e individit, njerëzit reagojnë dhe dalin në rrugë.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si funksionojnë zgjedhjet dhe institucionet, duke thënë se konsolidimi i pushtetit ka çuar në kapjen e të gjitha levave të tij.

Sipas Spiropalit, pushteti po përdoret për të krijuar favore, lidhje klienteliste dhe për të shtuar kontrollin, ndërsa edhe deputetët e Partisë Socialiste e kanë të vështirë të përballen me qytetarët.

" "

Kritika për shkarkimin nga Partia Socialiste

Spiropali zbuloi edhe detaje nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, ku u diskutua shkarkimi i saj.

Ajo pretendoi se nuk ishte e pranishme në mbledhje, se çështja nuk ishte në rendin e ditës dhe se nuk u zhvillua votim i rregullt.

Ajo tha se disa kolegë kishin kërkuar që të ishte e pranishme dhe të dëgjohej, por kjo mundësi nuk iu dha.

Duke komentuar këtë mënyrë veprimi, Spiropali deklaroi:

> As Koçi Xoxe e as Kadri Azbiu nuk i bënin këto nëpër mbledhje.

Ajo shtoi se gratë nuk duhet të përdoren vetëm si fasadë gjatë fushatave, por duhet t’u jepet hapësirë për të shprehur qëndrimet e tyre, edhe kur ato nuk përputhen me udhëheqjen e partisë.

Spiropali: Vendimi është nul, situata do të përkeqësohet

Më tej, ajo pretendoi se 40 deputetë të PS-së nuk e kishin ngritur dorën gjatë mbledhjes dhe se nuk kishte pasur votim të mirëfilltë.

Sipas saj, vendimi ishte marrë në mënyrë individuale dhe pa respektuar procedurat.

Spiropali e cilësoi vendimin të pavlefshëm, duke theksuar se Partia Socialiste nuk mund të identifikohet vetëm me një person, pavarësisht pozitës së tij drejtuese.

Në përfundim, ajo paralajmëroi se zhvillimet brenda partisë mund të përkeqësohen edhe më shumë.

sqShqip