Këshilli i Sigurisë: Gjendja e sigurisë në Maqedoni është stabile, të gatshëm për çdo skenar në Ukrainë
Gjendja e sigurisë në vend është stabile dhe tani për tani nuk ka indikacione të cilat do të tregojnë se do të mund të vijë deri në rrezikim të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, informoi pas Seancës së sotme të 14-të të këshillit për siguri, presidenti Stevo Pendarovski.
Lidhur me tensionet në kufirin midis Ukrainës dhe Rusisë, Pendarovski deklaroi se Maqedonia e Veriut si vend anëtar i NATO-s i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për skenarët e mundshëm në varësi nga ajo si do të zhvillohen ngjarjet në këtë rajon, për të cilin tha se mbetet potencialisht zonë me rrezik të lartë.
“I përshëndesim përpjekjet diplomatike në nivele të ndryshme, të cilat i ndërmarrin faktorët kryesorë në bashkësinë ndërkombëtare, me të cilët u jepet shans dialogut dhe negociatave, e jo armëve dhe retorikës luftarake”, deklaroi Pendarovski.
Në atë pjesë të botës, theksoi Pendarovski ka shenja të vogla simbolike për deeskalim të retorikës në ditët e fundit, por ende është herët të parashikohet si do të zhvillohen ngjarjet mëtutje.
Lidhur me situatën në rajon, Këshilli konkludoi se me aktivitet të përforcuar diplomatik të bashkësisë ndërkombëtare në periudhën e fundit, tensionet janë pjesërisht të zvogëluara, me çka hapet hapësirë për vendosje të sërishme të dialogut si mënyrë e vetme për tejkalimin e problemeve.
Në seancën e Këshillit, në Kabinetin e presidentit Stevo Pendarovski, përveç anëtarëve të rregullt si kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, profesori i Fakultetit juridik “Justiniani I” pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” Nenad Markoviq, profesori i Universitetit të EJLS Veton Latifi dhe ish-ministri i Mbrojtjes dhe profesor universitar Trajan Gocevski, në ftesë të shefit të shtetit morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë për zbulim Erold Musliu, drejtori i Agjencisë për siguri kombëtare Viktor Dimovski dhe gjeneral nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, shef i SHM-së së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.