Avioni luftarak MiG-29 i ushtrisë serbe është rrëzuar në afërsi të Stara Pazovës, raportojnë mediat serbe.
Sipas informacioneve të Radio-Televizionit të Serbisë (RTS), piloti ka humbur jetën.
Avioni është rrëzuar në një fushë dhe është shkatërruar plotësisht. Në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, ndihmës së shpejtë, policia dhe policia ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim zyrtar lidhur me këtë aksident.
MiG-29 është një avion luftarak sovjetik me dy motorë, i zhvilluar gjatë viteve 1970, kryesisht për misione të mbrojtjes ajrore dhe luftimit në hapësirën ajrore. Ai hyri në përdorim operacional në fillim të viteve 1980, ndërsa variante të ndryshme të tij vazhdojnë të përdoren edhe sot nga disa shtete.

