Kosovë

Deputetja ukrainase: Serbia armiku ynë, është koha që Ukraina ta njohë Kosovën!

Deputetja ukrainase falënderon Kosovën për mbështetjen kundër Rusisë

Deputetja e ukrainase, Iryna Friz ka falënderuar Kosovën për mbështetjen e dhënë për Ukrainës.Me anë të një shkrimi në Twitter, Friz ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani për mbështetjen e dhënë për Ukrainën në periudhën e kërcënimit të pushtimit nga Rusia.
Friz gjithashtu ka akuzuar Serbinë për mbështetjen e dhënë Rusisë përmes grupeve të mercenarëve dhe militantëve pro-rus në Ukrainë.

“Jam e bindur se Ukraina duhet të mbështesë miqtë e vërtetë, të cilët gjithashtu zgjodhën pavarësinë e tyre. Është koha për të refuzuar standardet e dyfishta. Miqtë e Ukrainës nuk janë ata që dërgojnë militantë pro-rusë në tokën tonë, por ata që gjithashtu nën kërcënimin e konfliktit të armatosur, shprehin mbështetje për shtetin tonë”, ka shkruar Friz.

Në fund, ajo ka bërë thirrje për vendosjen e marrëdhënies diplomatike mes Kosovës dhe Ukrainës, pasi që siç “vendosja e marrëdhënieve miqësore me Prishtinën do të jetë një hap i ndershëm, i cili më parë është bllokuar nga politika ruse në Ballkan”.

Edhe veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi ka thënë se është koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës, raporton Express.

Lushi ka shkruar në Twitter se ukrainasit sot po e përjetojnë të njëjtin kërcënim sikur shqiptarët e Kosovës në vitet ’90.

“Koha që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës. Tani ukrainasit duke e përjetuar të njëjtin kërcënim dhe dhimbje të agresionit rus duhet të kuptojnë pse shqiptarët e Kosovës duhej të çliroheshin nga korniza e Serbisë”, shkroi ai, duke e përmendur Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës dhe presidentin e vendit, Volodymyr Zelensky.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë të dielën se qëndron me Ukrainën, e cila është në pritje të një sulmi nga Rusia.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të shtunën përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter të shtunën, ka treguar se cili është pozicioni i Kosovës rreth konfliktit që mund të ndodhë në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

“Republika e Kosovës qëndron me Ukrainën”, ka shkruar Osmani, duke shpërndar një “tweet” të MPJ-së së Ukrainës, ku tregohet se si forcat ruse janë mbledhur rreth kufijve.

SHBA-ja ka paralajmëruar se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën, ndërsa tashmë ka shtuar numrin e forcave ushtarake pranë kufirit dhe ka rreshtuar shumë automjete ushtarake, gati për luftë.

Ukraina ka qenë pjesë Bashkimit Sovjetik deri më 1991 kur edhe u shpërbë shteti në të cilin ndodhi Revolucioni i Kuq i Tetorit.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ukrainasit dhe rusët janë një popull, ndërsa liderët e shtetit të Ukrainës, sipas Putinit, po drejtojnë një projekt “anti-rus”.

Këto dy shtete kanë pasur konflikt edhe më herët. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi Krimenë – Krahinë e Ukrainës deri në atë kohë.

Presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, lidhur me konfliktin që mund të ndodhë së shpejti – sipas situatës aktuale – ka thënë se nëse Rusia e sulmon Ukrainën do të ketë sanksione të mëdha, megjithatë ka bërë me dije se SHBA nuk do të përfshihet ushtarakisht në këtë konflikt.