Presheva ishte nikoqire e një konference shkencore treditore me temën “Studiuesit e huaj për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe viseve tjera shqiptare”, të organizuar më 23–25 tetor nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, nën drejtimin e profesor Xhemaledin Salihut.
Në konferencë morën pjesë akademikë dhe studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe diaspora. Përmes kumtesave të tyre, ata trajtuan historinë, gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, me fokus të veçantë te kontributi i studiuesve të huaj, si Edith Durham, Franz Nopcsa dhe Maximilian Lambertz.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës dhe rëndësisë së dokumentimit të saj përmes kërkimeve shkencore.
Prof. Dr. Agron Xhagolli vlerësoi organizimin e konferencës, duke theksuar nevojën për vazhdimin e kësaj tradite dhe për mbështetje më të madhe institucionale.
Konferenca u mbështet financiarisht nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës. Kumtesat e prezantuara pritet të botohen në një vëllim të veçantë shkencor. Në kuadër të programit u promovua edhe libri për personalitetet dhe figurat me vlera shkencore e kulturore shqiptare nga Lugina e Preshevës dhe viset e tjera shqiptare.
Kjo veprimtari shënon një kontribut të rëndësishëm për bashkëpunimin akademik ndërshqiptar dhe promovimin e trashëgimisë historike e kulturore të Luginës së Preshevës./Njofton Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva. përcjell Zhurnal.mk .

