‘Ata që më krahasojnë mua me Ramën, paguhen që të korruptojnë mendimin e njerëzve’. Kështu iu përgjigj pyetjes së një qytetari kreu demokrat Berisha.
Ndue Pjetra: Zoti Berisha, ndihmesa më e madhe që do t’i bënit revoltës studentore do të ishte ngujimi i deputetëve. Kjo është ndihmesa që do i bënit popullit shqiptar. Pas këtij veprimi do shihni se si do të ngrihet revolta masive në të gjitha rrethet, sepse njerëzve ky veprim u jep garanci se Partia Demokratike, krerët e saj, nuk kanë lidhje apo bashkëpunim me narkoshtetin e Edi Ramës.*
**Sali Berisha:** Ndue, unë të falënderoj për sugjerimin dhe të garantoj se çdo opsion është në shqyrtim dhe i mundshëm.
Vetëm një gjë tani, uroj që ju dhe çdo qytetar i këtij vendi, të mos bjerë viktimë e kësaj propagande, e cila ka vetëm një synim, të mbrojë Edi Ramën. Të dëshpërojë qytetarët pafundësisht, t’i bëjë të pashpresë.
Po ndalemi në këtë çështje. Marr momentin e bashkëpunimit të Edi Ramës me Sali Berishën. Tani a mund të pyes unë, a nuk është Edi Rama ai që së bashku me George Sorosin realizuan sanksionimin tim?
A nuk është Edi Rama ai që publikisht kërkoi arrestimin tim?
A nuk është Edi Rama ai që ndërseu SPAK-un e partisë pa asnjë fakt?
Edhe njëherë dua ta them këtu, nuk ekziston absolutisht asnjë firmë e Sali Berishës në procesin e rikthimit të pronës së konfiskuar nga regjimi komunist, të 300 pronarëve të klubit Partizani, njëri prej të cilëve është dhe dhëndri im nga gjyshërit. Asnjë firmë!
Në atë proces mund të ketë më shumë firma socialistësh, se kanë qenë në pushtet, se është një proces që ka zgjatur 17 vjet.
Megjithatë bënë një veting. Pavarësisht nga kjo, Edi Rama, për të fituar zgjedhjet, arrestoi në vitin elektoral Sali Berishën. Po, një gjë të them, Sali Berisha i nxori nga kontrolli atij dhe kujtdo tjetër opozitën. Unë i kam bërë një shërbim të madh vendit tim.
Opozita duhet të jetë e pavarur i dashur Nue. Se vetëm një opozitë e pavarur garanton një lloj sovraniteti të brendshëm të vendit. Përndryshe, çdo pushtet totalisht është në duart e diktatorit të partisë shtet.
Më thuaj pak, a nuk ishte Edi Rama që organizoi atentatin ndaj meje në rrugë?
A nuk ishte Edi Rama ai që mori vulën dhe ia dha njeriut peng, Lulzim Bravës, kur s’kishte asnjeri me vete?
Nuk ka gjë më të turpshme se ata që përhapin këto.
Në doktrinën e korrupsionit, thuhet dhe shkruhet, se krahasimi i të pakrahasueshmeve është mashtrimi më i madh, është forma më e egër e korrupsionit.
Çfarë krahasimi mund të bëhet midis Sali Berishës që ka dy vetinge si asnjë politikan tjetër në Europë? Askush! Një ndërkombëtar dhe një kombëtar, dhe kanë gjetur ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.
Çfarë krahasimi mund të bëhet midis Sali Berishës dhe Edi Ramës, i cili jeton në saraje me gjatësi themelesh më të mëdha sesa vila e diktatorit, dhe Sali Berishës që jeton në një apartament 40 metra më të madh se ai që kishte në diktaturë?
Dhe jeton jo vetëm në saraje, por ka pasur të deklaruara kur e ka ndërtuar gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë në llogari bankare. Ndërkohë që vila ka 8300 metër katrorë oborr.
U duhen këto parulla këtyre për të fshehur këto.
Çfarë krahasimi mund të bësh midis Sali Berishës dhe Edi Ramës, i cili vetëm pak muaj pasi u bë kryeministër, në raportin e OSBE-së, u akuzua e zezë mbi të bardhë se ka depozituar në bankat offshore 200 milionë euro?
Çfarë krahasimi mund të bësh midis familjarëve të mi dhe të atij? T’i marrim pak, ka shumë rëndësi.
Ime shoqe mjeke pediatre, e apasionuar. Për kohën që unë isha kryeministër, ajo nuk ishte në asnjë bord dhe merrte rrogën aty ku punonte në atë lagje.
Sapo u bë kryeministër, bashkëshortja e Edi Ramës u bë anëtare e bordit të Abi Bankës, dhe shkuan të gjitha llogaritë e shtetit drejt Linda Bankës.
Mund të bësh ndonjë krahasim? Çfarë krahasimi mund të bësh midis Sali Berishës dhe Edi Ramës? Unë kam një kunat, ai kunat është sipërmarrës privat. S’ka fituar kurrë një tender nga qeveria. Ndërkohë, kunati i familjes Rama, nga AKSHI, i dashur Nue, ka fituar qindra tendera sekretë në kundërshtim me ligjin me procedurë sekrete, Armand Frangu, i ke dëgjuar ti ato ç’ndodh atje, i ke dëgjuar? Strumbullarët nuk i thonë këta, e fshehin. Strumbullart është Armand Frangu, kunati i zonjës Linda, prandaj dhe AKSHI quhej kopshti privat i Edi Ramës.
Por do të marrim një aspekt tjetër tani. Aspektin e pushtetit. Edi Rama kërkon të krahasohet me mua, por ai ka qëndruar në pushtet 28 vite. Sali Berisha vërtet është nga ’90-ta në politikë, por nga këto vite, 13 kanë qenë në pushtet, të tjerat kanë qenë në opozitë.
Çfarë ndodh tani? Tani dëgjon në studiot e mashtrimit, që korruptojnë gjuhën dhe mendimin, se opozita është pushtet. Opozita është pushtet moral, është kundërshtar i pushtetit ekzekutiv, dhe s’i ka bërë kush kurrë opozitën që i kam bërë unë me partinë time.
Pra, të gjitha këto bëhen vetëm e vetëm se si të mbrohet duke dëmtuar Partinë Demokratike Edi Rama, dhe partia e krimit.
Si të mbulohen krimet e kryera. Me tre vendime, Edi Rama i jep vëllait të vet 38 mijë metër katrorë tokë tek Rrapi i Treshit. Tokë që ia merr privatit.
Unë bëra burg në shtëpi 333 ditë prej tij sepse dhëndri im kishte marrë 410 metër katrorë tokë të gjyshërve të tij me dokumente të faktuara në të gjitha kohërat se ishte tokë e familjes Begeja dhe disa familjeve të tjera, 300 pronarë. Dhe asnjë me firmën time! Dhe asnjë person i administratës shtetërore, socialiste apo demokrate, nuk është i thirrur, i dënuar, nuk i është marrë ndjekje penale. Pse? Sepse kanë kryer vetëm veprime të ligjshme.

