Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka bërë të ditur se mbi 75 për qind e Provimit të jurisprudencës për studentët do të mund të jepet në gjuhën shqipe.

Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Sulejmani ka thënë se është gjetur një zgjidhje që do t’ua lehtësojë dukshëm studentëve procesin e dhënies së këtij provimi.

“Ne kemi gjetur një zgjidhje që për momentin ua lehtëson dukshëm studentëve dhënien e Provimit të jurisprudencës, sepse nëse deri tash gjithë provimin e kanë dhënë vetëm në maqedonisht, tani mbi 75 për qind të provimit do ta japin në gjuhën shqipe”, deklaroi Sulejmani.

Sipas tij, kjo zgjidhje paraqet një ndryshim në mënyrën e dhënies së provimit, duke u mundësuar kandidatëve që pjesën më të madhe të tij ta zhvillojnë në gjuhën shqipe.

" "

Sulejmani “godet” BDI-në: Po bllokon Ligjin për përfaqësim, po punon kundër MO-së

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka kritikuar BDI-në lidhur me qëndrimin e saj ndaj Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e akuzuar se po pengon miratimin e tij.

Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Sulejmani tha se ligji synon të zgjidhë një nga çështjet e ndërlidhura me Marrëveshjen e Ohrit, përkatësisht përfaqësimin e drejtë.

Ai, duke aluduar në BDI-në, deklaroi se është paradoksale që një subjekt politik që e ka cilësuar Marrëveshjen e Ohrit si një nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve, sipas tij, tash po kundërshton një ligj që lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e saj.

“Të punosh kundër Marrëveshjes së Ohrit, të cilën këta e kanë cilësuar si arritjen më të madhe të shqiptarëve, tani dalin kundër interesave shqiptare. Ne po e zgjidhim një problem të Marrëveshjes së Ohrit me ligj. Nuk ka ligj për momentin, ne po ofrojmë ligjin dhe këta dalin publikisht se do ta bllokojnë”, deklaroi Sulejmani.

Ai e krahasoi këtë situatë me debatet e vitit 2018 për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke thënë se një veprim i tillë do të ishte i ngjashëm sikur deputetët shqiptarë të kishin paralajmëruar bojkotimin e atij ligji.

Sulejmani tha se pret përkrahje edhe nga BDI-ja, duke theksuar se kjo parti, sipas tij, ka folur vazhdimisht për rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit.

“Tash po shpresojmë në të njëjtën qasje edhe nga BDI-ja dhe duhet të gjejmë përkrahje, sidomos nga BDI-ja të cilët vazhdimisht kanë folur për Marrëveshjen e Ohrit dhe tani po e bllokojnë të njëjtën”, u shpreh Sulejmani.

sqShqip