Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, sot mbajti fjalim në hapjen e Konferencës së Parë Ndërkombëtare “Ura e Dijes: Diversiteti, Dialogu dhe Inovacioni në bibliotekat bashkëkohore” në Tetovë, duke theksuar rolin e rëndësishëm të bibliotekave në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe mendimit kritik.
“Ministria e Kulturës dhe Turizmit e njeh rëndësinë e nismave të këtilla. Ne jemi të bindur se investimi në biblioteka, në modernizimin e tyre, në digjitalizimin e fondeve të bibliotekave dhe në zhvillimin profesional të kuadrove është investim në themelet e shoqërisë. Dija, leximi dhe formimi kulturor janë parakushte për zhvillimin demokratik, për opinion publik kritik dhe për të ardhme të qëndrueshme”, theksoi Sulejmani.
Ai theksoi se bibliotekat janë hapësira ku ruhet kujtesa kolektive, ku kultivohet mendimi kritik dhe ku ndërtohen ura ndërmjet komuniteteve, brezave dhe kulturave të ndryshme.
“Në kohën kur hapësira informative është e mbingarkuar me përmbajtje, roli i bibliotekës si burim i besueshëm, i hapur dhe cilësor i dijes bëhet edhe më i rëndësishëm”, u shpreh ministri.
Sulejmani përshëndeti përkushtimin e drejtorit të Institucionit Nacional Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë, Binas Pajaziti, dhe të punonjësve, duke theksuar se konferenca paraqet mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit profesional dhe shkëmbimin e përvojave në rajon.
“Angazhimi i tyre dëshmon se institucioni jo vetëm që i përmbush obligimet e tij të përditshme, por ka edhe vizion të qartë për zhvillimin e mëtejshëm”, theksoi Sulejmani, i cili paralajmëroi realizimin e një projekti më të madh për Bibliotekën “Koço Racin” – Tetovë, që pritet të hapë perspektiva të reja për veprimtarinë e bibliotekës dhe bashkëpunimin kulturor.
Konferenca mbahet më 14 dhe 15 tetor 2026, në organizim të Institucionit Nacional Biblioteka “Koço Racin”, me pjesëmarrjen e profesionistëve, studiuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve bibliotekare nga vendi dhe rajoni.

