Tre persona nga Shkupi janë arrestuar në kuadër të aksionit policor “Çistaç”, nën dyshimin se kanë shantazhuar dhe kërcënuar një banor të Dellçevës, duke i kërkuar 10.000 euro.
Sipas njoftimit të MPB-së, të raportuar nga SkopjeInfo, të dyshuarit e kërcënonin qytetarin se do të publikonin materiale komprometuese nëse nuk ua paguante shumën e kërkuar. Në denoncim janë raportuar edhe kërcënime ndaj jetës dhe integritetit të tij fizik.
Policia ka kryer bastisje në dy lokacione dhe ka privuar nga liria personat Z.B. (61), M.B. (35) dhe B. (43), të gjithë nga Shkupi.
Gjatë kontrolleve është gjetur një pistoletë ilegale e markës “M57”, e kalibrit 7,62 milimetra. Pas verifikimeve, policia ka konstatuar se arma ishte vjedhur në një rast të vjedhjes së rëndë në rajonin e Shkupit.
Aksioni është realizuar në bashkëpunim mes njësive policore të Shkupit dhe Dellçevës, pas formimit të një lënde në Prokurorinë Themelore Publike të Dellçevës për dyshime për shantazh dhe rrezikim të sigurisë.
Nga MPB-ja njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.

