Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë pas incidentit të ndodhur më 7 tetor në Shkup.
Pas shqyrtimit të incizimeve, dëshmive dhe kontrolleve nga Kontrolli i Brendshëm, ai theksoi se janë konstatuar parregullsi të rënda në veprimet e punonjësve policorë, ndaj të cilëve ka nisur edhe procedura disiplinore dhe po mblidhen prova për përgjegjësi eventuale penale.
Iseni theksoi se përdorimi i papërgjegjshëm i forcës është i papranueshëm dhe se as uniforma e as funksioni nuk e mbrojnë askënd nga zbatimi i ligjit.
### Postimi i plotë:
6 POLICËT DO TË SUSPENDOHEN – ASKUSH NUK ËSHTË MBI LIGJIN!
Uniforma policore është përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët. Çdo keqpërdorim i saj cenon dinjitetin e qytetarit, besimin në polici dhe autoritetin e shtetit.
Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i prerë: përdorimi i forcës është i papranueshëm dhe çdo shkelje e konstatuar kërkon përgjegjësi.
Pas shqyrtimit të incizimeve, deklaratave të dëshmitarëve dhe kontrolleve për ngjarjen e 7 tetorit në Shkup, Kontrolli i Brendshëm ka konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e punonjësve policorë.
6 policët do të suspendohen, ndërsa ndaj tyre do të fillojë procedurë disiplinore.
Përgjegjësia nuk përfundon me suspendimin. Po veprohet sipas urdhrave të prokurorive kompetente për ekspertizë dhe dokumentimin e plotë të provave, mbi të cilat do të përcaktohet përgjegjësia eventuale penale.
As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit.
Qytetarët meritojnë siguri, dinjitet dhe një polici që e ushtron autoritetin me profesionalizëm.
Besimi në polici mbrohet duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje.
Ky është detyrimi ynë dhe ky është qëndrimi im.

