Gazetari Mefail Ismaili ka dënuar dhunën ndaj dy të rinjve shqiptarë, duke kërkuar që krahas saj të dënohen edhe shpifjet, manipulimet mediatike dhe përpjekjet për të nxitur tensione ndëretnike.

Ismaili ka kritikuar portalet e caktuara dhe subjektet politike që sipas tij, tentuan ta paraqesin rastin si konflikt ndëretnik, pa pritur që informacionet të konfirmohen plotësisht.

“E turpshme apo jo, kjo dhunë e shkaktuar nga policia u përpoq të shitet si ngjarje ku policë maqedonas rrahin të rinjtë shqiptarë, ose ku policia e shtetit u bën represion shqiptarëve”, ka deklaruar ai.

Gazetari ka ngritur shqetësimin për pasojat që mund të sjellë përhapja e informacioneve të pakonfirmuara, duke theksuar se nxitja e urrejtjes dhe e konflikteve ndëretnike mund të dëmtojë jo vetëm shoqërinë, por edhe familjarët e të rinjve të dhunuar.

" "

Sipas Ismailit, brenda 24 orëve nga raportimi fillestar i rastit nga gazetarja Liridona Vejseli u bë e ditur se dy policët më të përfshirë në ngjarje janë një shqiptar dhe një boshnjak.

Ai vlerëson se ky zhvillim nxjerr në pah rrezikun e manipulimit të rasteve të tilla për interesa politike dhe apelon për përgjegjësi, verifikim të fakteve dhe shmangie të gjuhës që nxit përçarje mes qytetarëve.

Mesazhi i tij është i qartë; dhuna duhet të dënohet dhe të hetohet, por duhet të ketë edhe përgjegjësi për shpifjet dhe manipulimet që mund të nxisin urrejtje e tensione ndëretnike.

sqShqip