Kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, ka marrë zotim nga zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në këtë komunë, me theks të veçantë zgjerimin e rrugës Stençe-Gurguricë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Huseini i ka paraqitur zëvendësministres nevojat e banorëve të Gurguricës dhe zotimet që u ka dhënë atyre gjatë fushatës zgjedhore.

“Ministre, ne jemi në fushatë dhe ngutemi pak. Unë u kam dhënë disa premtime atje poshtë dhe pa juve nuk mund t’i realizoj. Shumë e rëndësishme është rruga Stençe-Gurguricë dhe disa projekte të tjera. Ju lutem që t’i shqyrtoni dhe t’i keni parasysh”, ka deklaruar Huseini.

Nga ana e saj, Zekolli Shaqiri ka siguruar se mbështetja për Bërvenicën do të vazhdojë edhe në projektet e ardhshme, duke përmendur 14 projekte të mbështetura deri më tani, me vlerë prej 1.5 milion eurosh.

" "

“Do të vazhdojmë të mbështesim edhe ato pjesë të rrugëve që kanë ngelur dhe që janë në nevojë të banorëve të asaj zone. Ti më përmende pjesën e fshatit Gurguricë, kështu që ke mbështetjen tonë”, ka deklaruar zëvendësministrja.

Huseini e ka cilësuar këtë zotim si garanci për realizimin e projektit, duke theksuar se është në shërbim të banorëve të Bërvenicës. Ai ka përmendur zgjerimin e rrugës Stençe-Gurguricë si një nga prioritetet për këtë vendbanim.

sqShqip