Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër A.N., drejtoreshë e Sektorit për Financa dhe Kontabilitet në Lotarinë Shtetërore, dhe D.D., shefe e punëve financiare, për shkak të dyshimit për përvetësim në detyrë dhe falsifikim apo asgjësim të librave të kontabilitetit.

Sipas kallëzimit, dy zyrtaret gjatë vitit 2024 nuk kanë derdhur në llogaritë e Lotarisë Shtetërore të gjithë qarkullimin ditor nga pikat e veta të shitjes në vlerë prej 46.038.720 denarë (750 mijë euro). Kjo nuk ka mjaftuar dhe nga llogaritë bankare të shoqërisë janë tërhequr edhe 33.950.724 denarë, transmeton portali Lideri.mk.

Gjithsej, bëhet fjalë për 79.989.444 denarë (rreth 1,3 milionë euro), për të cilat Policia Financiare dyshon se janë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme. Me këtë, sipas kallëzimit, Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar një dëm prej pothuajse 80 milionë denarësh.

Policia Financiare dyshon se dy zyrtaret kanë ndërmarrë disa hapa për të mbuluar mungesën e parave.

" "

Sipas kallëzimit, ato kanë transferuar mjete midis llogarive të ndryshme bankare të Lotarisë Shtetërore, kanë krijuar urdhëresa dhe kanë realizuar pagesa e arkëtime me të cilat janë paraqitur në mënyrë rreme transaksione financiare.

Përveç kësaj, sipas autoriteteve, janë hartuar dhe përdorur dokumente të rreme financiare dhe kontabile, janë regjistruar pagesa fikative me para në dorë (kasë), dhe mjetet kontestuese janë regjistruar në konta të ndryshme kontabile. Në këtë mënyrë, sipas dyshimeve, mungesa është fshehur në librat e biznesit.

Në kuadër të hetimit, me urdhër gjyqësor dhe nën udhëheqjen e prokurorit publik nga PTHP Shkup, janë kryer kontrolle në pesë lokacione – katër në Shkup dhe një në Vallandovë.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar dokumentacion origjinal kontabiliteti lidhur me Lotarinë Shtetërore, telefona celularë, laptopë, pajisje USB, hard-disqe të jashtëm dhe pajisje të tjera elektronike.

Në mesin e sendeve të konfiskuara kishte edhe sende personale me vlerë të madhe, transmeton portali Lideri.mk. Autoritetet kanë konfiskuar mjete monetare, flori dhe bizhuteri ari, bizhuteri “Swarovski”, orë me vlera të larta, si dhe çanta me emër nga prodhues të njohur botërorë, përfshirë “Hermès”, “Louis Vuitton” dhe “Dior”.

Gjithashtu, jashtë njërit prej lokacioneve të kontrolluara, në një oborr fqinj, është gjetur edhe dokumentacion i hedhur për të cilin autoritetet konsiderojnë se është me interes për procedurën.

Nga Biuroja e Policisë Financiare bëjnë të ditur se lënda rrjedh nga gjetjet e revizionit që Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer në Lotarinë Shtetërore.

Rasti tashmë ndodhet pranë Prokurorisë Themelore Publike Shkup, e cila duhet të veprojë sipas kallëzimit penal dhe gjetjeve nga hetimi.

“Pasi që ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik nga fshehja dhe ikja, ekziston frikë e bazuar se të dyshuarat do të tentojnë t’i fshehin, falsifikojnë apo asgjësojnë gjurmët e veprës penale, si dhe rrethana të veçanta që tregojnë se do ta pengojnë procedurën penale duke ndikuar mbi dëshmitarët, ekspertët, bashkëpunëtorët apo fshehësit, por edhe rrethana që çojnë në mundësinë e përsëritjes së veprës penale, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjyjata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyja të dyshuarat”, deklarojnë nga Prokuroria./Lideri

sqShqip