Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka reaguar pas situatës së krijuar me zjarret gjatë ditës së sotme, ku zjarrfikësit janë përballur njëkohësisht me pesë vatra zjarri në territorin e komunës. Sipas Memishit, zjarret janë regjistruar në Nerasht, Bellovisht, në dy lokacione në Sllatinë dhe në Tearcë.
“Çdo ditë që në Komunën e Tearcës bëhet një punë e mirë, duket se ka nga ata që përparimi i komunës i pengon. Kur puna ecën përpara, pasojnë dëmtime që i kushtojnë komunës dhe qytetarëve. Kjo nuk mund të vazhdojë”, ka shkruar Memishi. Ai ka paralajmëruar se çdo rast do të dokumentohet, hetohet dhe ndiqet institucionalisht, duke theksuar se përgjegjësia do të kërkohet pa përjashtim.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për Tearcën. Askush nuk do ta ndalë zhvillimin e komunës me dëmtime dhe veprime të papërgjegjshme!”, ka theksuar kryetari Memishi. Në fund, Memishi ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit, të cilët gjatë ditës janë përballur me disa vatra zjarri njëkohësisht. “Për heronjtë tanë, zjarrfikësit, falënderime pa fund”, ka shkruar ai.

