Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot mori pjesë në Seminarin Kombëtar për Sigurinë e Mjedisit, i mbajtur në Shkup në kuadër të projektit të BE-së për forcimin e kapaciteteve në zbatimin e legjislacionit mjedisor.
Në fjalën e tij, Hoxha theksoi se ndryshimet klimatike, ndotja, degradimi i natyrës, mbeturinat, mungesa e resurseve dhe rreziqet ndërkufitare janë gjithnjë e më shumë pjesë e agjendës globale të sigurisë.
“Asnjë vend nuk mund të përgjigjet i vetëm ndaj këtyre sfidave. Qasja jonë duhet të jetë e qartë: parandalim në vend të reagimit, bashkëpunim në vend të izolimit dhe përgjegjësi institucionale”, u shpreh ministri.
Ai nënvizoi se siguria ekologjike, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit janë të pandashme, duke veçuar rolin e organeve inspektuese në parandalimin e aktiviteteve të paligjshme që mund të rrezikojnë mjedisin, shëndetin dhe resurset natyrore.
Hoxha konfirmoi se shteti mbetet i përkushtuar në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në thellimin e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar për një mjedis të sigurt për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme. Ai veçoi rëndësinë e rrjeteve si IMPEL, Rrjeti i BE-së për zbatimin e legjislacionit mjedisor, në luftën kundër krimit ekologjik ndërkufitar.
Seminari trajtoi sfidat e ardhshme mjedisore, përfshirë gjendjet emergjente, shëndetin publik dhe ndryshimet klimatike, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Spanja.

