Procedura për furnizimin me 150 autobusë të rinj ka përfunduar dhe kontrata është nënshkruar. Shkupi do të ketë përparësi në pranimin e 100 autobusëve të parë, deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Sipas tij, paralelisht po përgatitet infrastruktura në tri lokacione të qytetit për pritjen e serisë së parë të autobusëve.
> “Shkupi, nga 150 autobusët, ka përparësi. Derisa të plotësohet kuota prej 100 autobusësh për qytetin, nuk do t’u dorëzohen autobusë komunave të tjera. Këtë e ka thënë edhe ministri Nikolloski, si dhe kryeministri”, tha Gjorgjievski.
Ai informoi se Qyteti i Shkupit, NQP dhe EVN-ja tashmë po punojnë për përgatitjen e rrjetit për autobusët e rinj.
Në disa lokacione, rrjeti i vjetër elektrik nuk ka kapacitet të mjaftueshëm, ndaj do të rinovohet, ndërsa në lokacione të tjera do të duhet të vendosen trafostacione të reja.
“Një bashkëpunëtor i afërt është përgjegjës si përfaqësues i Qytetit të Shkupit, ndërsa përgjegjës është edhe drejtori i JSP-së. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me EVN-në dhe të gjitha ekipet tashmë kanë dalë në terren, në mënyrë që kur të arrijë seria e parë e autobusëve, ne të jemi të përgatitur me infrastrukturën”, tha kryetari.
Sipas tij, në disa vende bëhet fjalë për rrjet të vjetër që nuk mund ta përballojë kapacitetin e nevojshëm, prandaj do të bëhet rinovimi i tij. Në disa pika do të vendosen edhe trafostacione për të siguruar funksionalitetin.
Tri pikat ku po punohet janë:
Stacioni i Ri Hekurudhor
Autokomanda
Gjorçe Petrov
“Pra, do të hyjmë të përgatitur në këtë proces”, theksoi Gjorgjievski.
Bulevardi “Cvetan Dimov”
Duke folur për bulevardin “Cvetan Dimov” në Çair, Gjorgjievski tha se po përgatiten projekti bazë dhe dokumentacioni projektues.
Sipas tij, Komuna e Çairit ka për detyrë të përgatisë të gjithë dokumentacionin projektues, ndërsa Qyteti i Shkupit do të sigurojë mjetet financiare dhe do të hyjë në realizimin e projektit.
Qyteti i Shkupit do të jetë përgjegjës edhe për shpronësimin.
Gjorgjievski tha se pret që deri në fund të vitit të shpallet procedura e tenderimit.
Ai shtoi se projekti për këtë bulevard është paralajmëruar për më shumë se 30 vjet, por deri tani nuk ka arritur as në fazën e dokumentacionit projektues.
Kalimi i këmbësorëve te Bit Pazari
Paralelisht, Sektori i Trafikut i Qytetit të Shkupit, në bashkëpunim me SPB Shkup, po përgatit edhe një projekt për sinjalizimin e vendkalimit të këmbësorëve te Bit Pazari. Pas përfundimit të projektit pritet realizimi i tij në terren./Lideri

