Ministria e Kulturës sot publikoi konkurset vjetore për financimin e projekteve me interes kombëtar në fusha dhe aktivitete të veçanta të kulturës për vitin 2027.
Aplikimi për të gjitha fushat do të bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike përmes Portalit Kombëtar për e-shërbime (uslugi.gov.mk), ndërsa aplikimet në formë të shtypur ose me postë nuk do të shqyrtohen.
Afati për aplikim fillon sot në orën 12:00 dhe zgjat deri më 31 tetor në orën 15:30.
Mbetet pragu minimal prej 40 pikësh (nga gjithsej 100) për mbështetje financiare, si dhe kufizimet deri në katër projekte për personat juridikë dhe deri në dy për personat fizikë, me qëllim nxitjen e cilësisë dhe jo të sasisë.
Sistemi i pikëzimit është i unifikuar – deri në 70 pikë për cilësinë e përmbajtjes, deri në 15 pikë për resurset njerëzore dhe deri në 15 pikë për arsyeshmërinë financiare.
“Këto konkurse do të mbështesin projektet që pasurojnë ofertën kulturore, krijojnë hapësirë për shprehje të reja krijuese dhe kontribuojnë në dukshmërinë ndërkombëtare të kulturës së Maqedonisë. Shprehim pritshmëri të sinqertë që edhe këtë vit artistët, shoqatat dhe organizatat kulturore do të tregojnë interes të madh dhe gatishmëri profesionale, duke konfirmuar dinamikën dhe pjekurinë e skenës sonë kulturore”, deklaroi ministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, në konferencën e sotme për mediat në Qeveri.
Sulejmani njoftoi se përparësi do t’u jepet projekteve serioze, të mirëpërpunuara dhe të qëndrueshme, të cilat kanë kapacitet të lënë gjurmë të përhershme, qoftë përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar apo zhvillimit të audiencave të reja.
Ai theksoi se politika e Ministrisë është gjithëpërfshirëse, por edhe e përgjegjshme dhe se mbështeten të gjithë ata që krijojnë vlerë, duke insistuar njëkohësisht në profesionalizëm, përgjegjësi dhe kontribut të matshëm.
“Shteti qëndron fuqishëm pas artistëve, institucioneve dhe punonjësve të tij të kulturës. Me këto konkurse dhe me investimet kapitale që po i realizojmë paralelisht, krijojmë kushte për një kulturë stabile, të dukshme dhe me vetëbesim”, theksoi ministri i Kulturës në konferencën për mediat.
Nga ora 12:00, thirrja do të publikohet në ueb-faqen e Ministrisë.

