“Të lëmë shembull, jo mbeturina” është motoja e aksionit të madh ekologjik për pastrimin e Shkupit, i cili do të zhvillohet nesër, më 30 shtator, në të gjitha komunat e Shkupit, në organizim të Qytetit të Shkupit.
“Nesër, më 30 shtator, në orën 10:00, fillojmë aksionin më masiv ekologjik për pastrimin e Shkupit, me disa mijëra vullnetarë dhe me një qëllim të përbashkët – të tregojmë se sa shumë mund të bëjmë kur jemi të bashkuar dhe kur dashurinë për qytetin tonë e shndërrojmë në vepër!”, njoftoi kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Ai tha se aksioni do të përfshijë të gjithë Shkupin, në secilën prej komunave të qytetit, transmeton portali Lideri.mk.
“Kujdesin e përbashkët për qytetin do ta tregojmë kudo, sepse çdo lagje meriton një mjedis të pastër dhe të rregulluar”, tha Gjorgjievski.
Në aksion, sipas tij, do të përfshihen të gjitha komunat, kryetarët e komunave, ambasadat, nxënësit, figura publike, sportistë dhe shumë qytetarë.
“Gjenerata të ndryshme, profesione të ndryshme, por me të njëjtën dëshirë – të kemi një Shkup më të pastër, më të bukur dhe më të shëndetshëm”, shtoi ai.
Gjorgjievski i bëri thirrje qytetarëve që ta mbështesin aksionin.
“I ftoj të gjithë ata që e duan këtë qytet të jenë pjesë e aksionit. Ftoni miqtë, fqinjët, kolegët. T’i përveshim mëngët dhe së bashku të kujdesemi për rrugët nëpër të cilat kalojmë çdo ditë, për parqet ku rriten fëmijët tanë dhe për lagjet që i quajmë shtëpi.”
Kryetari i Shkupit paralajmëroi se ky nuk do të jetë aksioni i vetëm i këtij lloji.
“Aksione të tilla do të zhvillohen dy herë në muaj! Me pastrim të rregullt, me pjesëmarrje gjithnjë e më të madhe dhe me përkushtim të përbashkët, këtë iniciativë do ta shndërrojmë në një traditë me të cilën Shkupi do të krenohet”, deklaroi ai.
Gjorgjievski tha se qëllimi është që qytetarët, përmes shembullit personal, t’i mësojnë edhe brezat e rinj me përgjegjësinë ndaj mjedisit.
“Të lëmë një shembull që do të ndiqet. Të krijojmë një shprehi që do të zgjasë edhe pas përfundimit të çdo aksioni. T’ua mësojmë më të rinjve përgjegjësinë përmes veprimeve tona”, theksoi ai.
“Besoj te shkupjanët, besoj te fuqia e shembullit personal dhe te solidariteti që e kemi dëshmuar shumë herë”, përfundoi Gjorgjievski./Lideri

