Përfaqësuesi i VLEN-it, Amir Elezi, ka deklaruar se shumica parlamentare është stabile, por ka bisedime në nivele të ndryshme mes subjekteve politike.

Duke folur në emisionin “Click Plus” në TV21, Elezi tha se VLEN është i hapur për bisedime me eksponentë të opozitës, nëse ekziston vullneti për t’iu bashkuar koalicionit.

“Ajo që vlen të thuhet është se shumica parlamentare është stabile. Në rast se VLEN gjykon dhe ka dëshirë nga eksponentë të opozitës që të bëhen pjesë e koalicionit, në frymë të mbarëvajtjes së procesit, jemi të hapur për bisedime. Por ajo që ka bisedime të niveleve të ndryshme është e sigurt”, deklaroi Elezi.

I pyetur nëse eksponentë të Aleancës për Shqiptarët (ASH) mund të kalojnë në VLEN, Elezi tha se zhvillimet politike në vend janë dinamike dhe nuk përjashtoi mundësinë e lëvizjeve të reja politike.

" "

“Procesi i zhvillimeve politike në vend është dinamik. Në nivele të ndryshme ka edhe komunikime mes anëtarësisë dhe eksponentëve të lartë të partive politike dhe nuk përjashtohet edhe mundësia që të ketë lëvizje”, tha ai.

Elezi shtoi se në VLEN janë në dijeni për komunikime të tilla, duke iu referuar edhe deklarimeve të bashkëkryetarit Bilall Kasami.

“Ajo që ka deklaruar kryetari Kasami sa i takon faktit se ekzistojnë bisedime të nivelit të tillë, jemi në njohuri të këtyre komunikimeve”, përfundoi Elezi.

Elezi: Opozita nuk ka kauzë, mundohet të përfitojë politikisht përmes protestave për ish krerët e UÇK-së

Përfaqësuesi i VLEN-it, Amir Elezi, ka deklaruar në emisionin “Click Plus” në TV21 se VLEN është thellësisht i indinjuar me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së.

“Qëndrimi i VLEN-it është se jemi thellë të indinjuar nga vendimi i Gjykatës së Hagës për ish krerët e UÇK-së. Vlerësojmë se është vendim i padrejtë, marrë parasysh se lufta e popullit shqiptar ka qenë luftë e rezistencës dhe çlirimtare”, tha Elezi.

Duke folur për protestën e mbajtur në Shkup, Elezi tha se sipas VLEN-it, organizimi kishte karakter politik dhe synime politike.

“U pa se është një organizim politik për qëllime politike, duke pasur parasysh se ne jemi në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që mbahen padrejtësisht në Hagë”, deklaroi ai.

Elezi kritikoi edhe kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, duke ngritur pretendime lidhur me rolin e tij në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë.

*Misteri i dëshmisë së Ahmetit në zyrat e EULEX-it*

“Duhet të dimë që disa nga eksponentët që u panë në protestë, sidomos Ali Ahmeti ka qenë ndër të parët që ka lobuar të votohet Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, është misterioze pjesa ku ai ka dëshmuar për orë të tëra në zyrat e EULEX-it për nevojat e kësaj gjykate dhe në fund të jesh organizator për përfitime politike në kurriz të një fatkeqësie kombëtare që u ndodh ish krerëve të UÇK-së”, u shpreh Elezi.

Sipas tij, VLEN nuk do të bëhet pjesë e organizimeve që siç pretendon ai, shfrytëzojnë politikisht çështjen e ish krerëve të UÇK-së.

“Sigurisht nuk do të bëhemi pjesë e kësaj dhe i përkrahim të gjitha llojet e organizimit që shprehin revoltën dhe pakënaqësinë që e kemi edhe ne për vendimin e Gjykatës Speciale”, u shpreh Elezi.

Ai akuzoi gjithashtu opozitën se nuk ka një kauzë të qartë politike dhe se, sipas tij Ali Ahmeti po përpiqet të fitojë pikë politike përmes protestave.

“E shohim që opozita nuk ka një kauzë për të cilën lufton dhe në mungesë të kësaj, Ahmeti mundohet të fitojë pikë politike duke u spikatur në kësi lloj organizimesh. E dimë shumë mirë se Ahmeti është organizator i këtyre dhe mundohet të fitojë politikisht nga dhembja e popullit shqiptar dhe nga fatkeqësia ndaj ish krerëve të UÇK-së”, përfundoi Elezi.

sqShqip