Një 70-vjeçar nga lagjja Aerodrom e Shkupit ka ndërruar jetë si pasojë e etheve të Nilit Perëndimor, duke e çuar në 10 numrin e viktimave nga virusi.
Pacienti po trajtohej në Klinikën e Sëmundjeve Infektive prej më shumë se 50 ditësh.
Drejtori i Klinikës, dr. Fadil Cana, bëri të ditur se aktualisht janë të hospitalizuar shtatë pacientë, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Tre ditë më parë është regjistruar edhe një rast i ri. Deri tani, gjatë këtij sezoni, në Klinikën Infektive janë trajtuar gjithsej 68 pacientë me ethet e Nilit Perëndimor.

