Pas më shumë se 20 vitesh pritje, nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Kumanovë do të kenë një objekt të ri, modern dhe dinjitoz.
Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, bëri të ditur se për realizimin e projektit Qeveria ka siguruar 373 milionë denarë, ndërsa punët ndërtimore tashmë kanë përfunduar.
Aktualisht po finalizohen instalimet elektrike dhe mekanike, ndërsa sipas njoftimit, shkolla pritet të vihet në përdorim gjatë vitit 2027.
“Që nga marrja e mandatit, si Qeveri jemi fokusuar që investimet publike të përkthehen në projekte konkrete dhe në kushte më të mira për qytetarët”, deklaroi Azizi.
Ajo theksoi se investimi në “Sami Frashëri” është një investim në arsim, të rinjtë dhe të ardhmen e Kumanovës.
“Dikush mund ta ketë harruar Kumanovën, por ne po e rikthejmë në fokusin e Qeverisë, me investime, projekte dhe punë konkrete. Kumanova meriton zhvillim dhe vëmendjen e institucioneve”, tha zëdhënësja Azizi.
Ajo thekson se projekti i shkollës “Sami Frashëri” është vetëm një nga investimet që synojnë përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit në vend.

sqShqip