Tri motra trinjake nga Kukësi kanë hapur një etapë të re në jetën e tyre, duke vendosur ta vijojnë së bashku edhe rrugën akademike.

Me emocionet e ditës së parë në Fakultetin e Mjekësisë, motrat janë ulur në auditorë me një zgjedhje të përbashkët: të mos ndahen nga njëra-tjetra as në vitet e studimit. Ndonëse mes preferencave të tyre ishte edhe stomatologjia, në fund vendosën për farmacinë, që të trija të ndiqnin të njëjtën degë.

“Ka qenë dëshira jonë që të vazhdonim farmaci”, tregon njëra prej motrave.

Të trija e kanë mbyllur gjimnazin në Kukës me rezultate shumë të larta, duke dëshmuar prirje të përbashkët për shkencat ekzakte. Arritjet në mësime duket se janë vetëm një nga gjërat që i lidhin, pasi lidhja e tyre e veçantë ka nisur që në lindje.

" "

Edhe pse janë trinjake, karakteret e tyre nuk janë plotësisht të njëjta. Ajsel shfaqet më e komunikueshme dhe më e gatshme për të folur, ndërsa motrat e saj parapëlqejnë një rreth më të vogël shoqëror dhe një natyrë më të tërhequr.

“Unë jam pak më e shkathët, ndërsa ajo preferon vetëm shoqërinë e ngushtë. Qëndron pak më shumë brenda komfortit të saj”, shprehet Ajsel.

Nga bankat e gjimnazit në Kukës drejt auditorëve të universitetit, tre motrat po e vazhdojnë bashkë një rrugëtim që për to duket se ka qenë gjithmonë i pandarë.

sqShqip