Sot, në Bujanoc, në Konferencën Ekonomike IV, nën moton “Ekonomia shpëton Luginën”, kryetarja e Preshevës Ardita Sinani foli për një nevojë që tashmë duhet të kthehet në veprim: potenciali i Luginës të shndërrohet në zhvillim ekonomik, transmeton portali Lideri.mk.

“Nga vizita ime në Shtetet e Bashkuara solla dy mesazhe të rëndësishme: interesin konkret të diasporës shqiptare për të investuar në Luginë dhe gatishmërinë e shprehur nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për të shqyrtuar mundësitë e investimeve turke në Luginën e Preshevës.

Tani duhet ta bëjmë hapin tjetër: komunikimin politik ta kthejmë në kontakte ekonomike, partneritete dhe projekte konkrete”, deklaroi Sinani.

Ajo theksoi se Presheva ka një avantazh që nuk mund ta zhvendosë askush: pozitën e saj në Korridorin 10, në nyjën që lidh Evropën Qendrore me Ballkanin dhe Mesdheun.

" "

“Këtë pozitë duhet ta kthejmë në ekonomi: në prodhim, logjistikë, teknologji, shërbime dhe vende të reja pune.

Bizneset tona, diaspora, investitorët nga Turqia dhe institucionet duhet t’i lidhim në një drejtim: investime konkrete në Luginën e Preshevës.

Sepse “Ekonomia shpëton Luginën” nuk është vetëm moto e një konference. Është projekt i përbashkët për të ardhmen tonë”, theksoi kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani./Lideri

sqShqip