Një skandal i madh ka tronditur Bosnjë-Hercegovinën, pasi inspektorja e Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), Jelena Miçiq, është arrestuar nën dyshimin se ka zbuluar informacione konfidenciale policore dhe, përmes vëllait të saj, ka paralajmëruar një person të lidhur me trafikimin e drogës se ndaj tij po zhvillohej një hetim.
Në seancën e sotme gjyqësore para Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës janë paraqitur detaje nga komunikimet përmes aplikacionit të koduar „Sky“. Sipas prokurorisë, këto mesazhe tregojnë se si informacionet konfidenciale të policisë kanë përfunduar te Miljan Radonja, person ndaj të cilit zhvillohej hetim për trafikim droge.
Sipas prokurorisë, rasti daton nga periudha 22 janar – 22 shkurt 2021, kur Miçiq punonte si inspektore e re në sektorin e teknologjisë informative të SIPA-s, por në atë periudhë ishte në pushim të lehonisë.
Ajo dyshohet se informacionet i kishte marrë nga zyrtari policor Esmer Radonçiq, me të cilin kishte marrëdhënie të afërta, dhe më pas ia kishte përcjellë vëllait të saj, Stefan Shilegoviq.
Ky i fundit, sipas prokurorisë, përmes aplikacionit „Sky“ e kishte paralajmëruar Radonjën se policia kishte informacione për aktivitetet e tij kriminale.
„Motra ime më tha se Dario të ka tradhtuar dhe se nuk duhet të vish“, ishte përmbajtja e njërës prej porosive të paraqitura në sallën e gjyqit.
Në një mesazh tjetër, vëllai i inspektores kishte kërkuar që informacioni të mbahej sekret, duke paralajmëruar se nëse ai zbulohej, menjëherë do të kuptohej se motra e tij ishte burimi i informacionit.
Radonja kishte pyetur se si inspektorja mund të dinte për hetimin kur ishte në pushim të lehonisë. Përgjigjja kishte qenë se informacionin ia kishte përcjellë Esmeri.
E gjithë situata kishte nisur pasi policia kishte arrestuar Dario Markoçeviqin për posedim të amfetaminës. Gjatë marrjes në pyetje, ai kishte përmendur Radonjën si shitës të drogës, pas së cilës policia kishte nisur hetimet ndaj tij.
Prokuroria pretendon se inspektorja kishte shkelur me vetëdije detyrimet zyrtare, me qëllim mbrojtjen e Radonjës.
Në sallën e gjyqit janë paraqitur edhe informacione për vëllain e saj, për të cilin prokurori ka deklaruar se më parë ishte arrestuar disa herë, ndërsa ditën e seancës ishte ndaluar sërish për shkak të dyshimeve për zhvatje.
Gjatë kontrolleve në banesën e inspektores janë sekuestruar një telefon celular dhe pajisje të tjera elektronike. Sipas prokurorisë, ajo kishte refuzuar të zbulonte fjalëkalimin e telefonit.
Gjithashtu, ishte gjetur edhe një pajisje USB me informacione të inteligjencës nga viti 2021, të cilat, duke pasur parasysh pozitën e saj të punës, nuk duhej të ishin në dispozicion të saj.
Prokurori ka bërë të ditur gjithashtu se Miljan Radonja aktualisht ndodhet në një burg në Beograd, për shkak të përfshirjes në trafikim ndërkombëtar të drogës.
Prokuroria ka kërkuar një muaj paraburgim për Miçiqin, duke shprehur shqetësimin se nëse lihet e lirë, ajo mund të ndikojë te dëshmitarët, të harmonizojë deklaratat me persona të tjerë ose të pengojë hetimin.
Nga ana tjetër, mbrojtja i kundërshton provat dhe pretendon se nuk ekzistojnë baza të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit.
Avokatët kanë theksuar se e dyshuara është nënë e dy fëmijëve dhe se në familjen e saj ekzistojnë rrethana serioze shëndetësore dhe personale.
Ata kanë propozuar që, në vend të paraburgimit, asaj t’i ndalohet komunikimi lidhur me këtë çështje me persona të tjerë, përveç avokatëve të saj. Gjithashtu, nëse është e nevojshme, kanë propozuar edhe ndalimin e afrimit në më pak se 100 metra ndaj punonjësve të SIPA-s.
Për keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, vepër për të cilën dyshohet inspektorja, sipas legjislacionit të Bosnjë-Hercegovinës parashihet dënim me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Gjykata do të vendosë në vijim nëse inspektorja do të mbetet në paraburgim apo ndaj saj do të shqiptohen masa ndaluese.

