Kosova e nis në mënyrën më të mirë të mundshme këtë edicion të Nations League. Skuadra dardane arriti të mposhtë Irlandën në ndeshjen e parë të kompeticionit me rezultatin 1-0 ku vendimtar rezultoi Vedat Muriqi.
Sinjalin e parë në këtë ndeshje e dha Kosova e cila pati një mundësi që në minutën e 9 me Vedat Muriqin që u shërbye nga Vojvoda, por gjuajtja e ‘Piratit’ ishte e dobët. Minutat në vazhdim ishin të mira për të besuarit e Franco Fodas që po ushtronin presion në zonën irlandeze por pa ndonjë rrezikshmëri të madhe. Megjithatë në minutën e 22, Muriqi tentoi me një gjuajtje me kokë, por topi përfundoi mbi portë. Irlanda u kundërpërgjigj 60 sekonda më vonë me Ogbene, por fati ishte me kombëtaren e Kosovës. Nuk vonoi shumë dhe Dardanët krijuan shansin më të mirë deri në atë moment, sërish me Muriqin, por topi i gjuajtur prej tij u largua në vijën fatale nga një mbrojtës irlandez. Kosova kishte kontrollin e plotë të ndeshjes teksa kërkonte me ngulm golin e avantazhit dhe në minutën e 39 iu afrua sërish me Muriqin, por portieri kelleher bëri mrekullinë dhe e ndali gjuajtjen e tij dhe kështu pjesa e parë u mbyll me barazimin pa gola 0-0.
Në fillimin e pjesës së dytë Irlanda regjistroi rastin e saj të parë me Troy Parrot që u ndal nga portieri Muric. Kosova u përgjigj 5 minuta më vonë me Hoxhën, gjuajtja e të cilit shkoi ngjitur me shtyllën. Dardanët ishin dominues në fushën e lojës teksa vijuan me krijimin e rasteve sic ishte ai i Edon Zhegrovës të cilit i mungoi saktësia ne gjuajtjen e tij në hyrje të zonës. Por 6 minuta nga fundi i ndeshjes Kosova mori shpërblimin e merituar teksa shënoi golin e avantazhit pikërisht me kapitenin e saj, Vedat Muriqin që dërgoi në rrjet një top të kthyer nga tramversa pas gjuajtjes së Ermal Krasniqit me sulmuesin dardan që ia dedikoi golin ish krerëve të UÇK të dënuar në Hagë duke shfaqur një bluzë ku shkruhej ‘Drejtësi për çlirimtarët’. Pas këtij goli Kosova pati shansin të shënojë golin e dytë me Krasniqin, por ky i fundit gaboi. Gjithsesi ndeshja u mbyll 1-0 për Kosovën që në këtë mënyrë mori 3 pikët e para në Nations League. Me fitore e nisi këtë edicion të Nations League edhe Austria që mundi Izraelin në ndeshjen tjetër të grupit me rezultatin 3-1.

