Presidenti amerikan Donald Trump mbajti fjalimin e tij në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku foli për inteligjencën artificiale, luftën në Ukrainë dhe konfliktin me Iranin.

Trump tha se bota po hyn në një epokë të inteligjencës artificiale, të cilën ai kërkoi që në të ardhmen të quhet “super-inteligjencë”, duke pretenduar se ajo do të sjellë një periudhë prosperiteti për të gjithë.

Ai paralajmëroi gjithashtu përfundimin e afërt të luftës në Ukrainë, ndërsa për konfliktin me Iranin tha se ai do të përfundojë pas zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin amerikan.

“ Në të gjitha dokumentet dhe rregulloret ligjore, që nga sot inteligjenca artificiale do të njihet me emrin super-inteligjencë. Nuk do të lejoj që të pengohet zhvillimi i diçkaje që do të jetë më e madhe se revolucioni industrial, më e madhe se interneti. Përkundrazi, do ta nxisim zhvillimin e super-inteligjencës”, tha Trump.

" "

Ai vlerësoi se SHBA-ja ka një avantazh të madh ndaj Kinës në zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe se do të vazhdojë ta zgjerojë këtë avantazh.

Duke iu përgjigjur kritikave se inteligjenca artificiale është një shpikje e rrezikshme, Trump tha se thirrjet për ndalimin e zhvillimit të saj vijnë nga të njëjtat qarqe që, sipas tij, pengojnë zhvillimin e burimeve energjetike të njerëzimit në emër të “ndryshimeve klimatike”.

Përplasja me Iranin

Presidenti amerikan e akuzoi Iranin se ka refuzuar të arrijë një marrëveshje për heqjen dorë nga programi bërthamor, si dhe se ka shkelur marrëveshjen për armëpushim, e cila synonte normalizimin e qarkullimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.

Trump e justifikoi vendimin e tij për nisjen e konfliktit me Iranin duke thënë se ky shtet, sipas tij, ka sponsorizuar terrorizmin në mbarë botën dhe se posedimi i armëve bërthamore do ta bënte atë edhe më të rrezikshëm.

“Unë jam i vendosur që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. I bëj thirrje të gjitha shteteve të bashkohen me ne dhe të zbatojmë izolim ekonomik ndaj Iranit derisa të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare, të heqë dorë nga ambiciet bërthamore dhe të ndalojë mbështetjen e terrorizmit”, tha Trump.

Delegacioni iranian u largua nga salla e Kombeve të Bashkuara kur Trump filloi të fliste për Iranin.

Trump për luftën në Ukrainë

“Lufta në Ukrainë do të përfundojë shumë më shpejt nga sa mendojmë. Po punoj shumë ngushtë me liderët e Rusisë dhe Ukrainës dhe do ta zgjidhim këtë problem”, tha Trump.

Ai shtoi se nuk mund të durojë më të shohë fotografi nga fusha e betejës dhe nga viktimat në të dyja palët.

Në lidhje me sigurinë e Evropës, Trump vlerësoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke thënë se ai kishte siguruar rritjen e buxheteve të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s nga 2 në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

“Kjo do të thotë se tani do të kenë më shumë mbrojtje”, shtoi Trump.

sqShqip