Pauzën e mesditës së të martës, të punësuarit në Gjykatën e Kumanovës e shfrytëzuan për protestë. Mbi 70 administratorë dhe gjykatës para godinës së Themelores shprehen revoltën ndaj kryetares së Gjykatës Snezhana Manev. Kreu i Sindikatës së SPOGJ-it, përmendi fyerjet që i bëhen puntorëve.

“Kafshë! Jevgë! Jeni të marrë – asgjë nuk dini! Do t’ju djeg! Do të ju vë nën këmbë! Së pari do të mbys e pastaj do ta lëshoj punën! Ju nga kjo gjykatë mund të dilni vetëm me ndihmë të shpejtë! Sharjet tjera që i ka bërë ndaj të punësuarave mua personalisht më vjen turp t’i them! Këto janë vetëm një pjesë e fyerjeve, të cilat i durojnë vite me radhë të punësuarit në Gjykatën Themelore të Kumanovës për vite me radhë nga kryetarja e kësaj Gjykate, Snezhana Manev”, tha Trpe Deanovski, Kryetar I Sindikatës SPOGJ .

Ankesa e firmosur nga 75 të punësuarit nuk është marrë parasysh nga Këshilli Gjyqësor, të cilit i bëjnë thirrje të ndërmarrin masa, përndryshe protesta do të radikalizohet me grevë disa ditore. Deanovski tha se punëtorëve u bëhet mobing, presion dhe kërcënime nga kryetarja e Gjykatës andaj kërkojnë dorëheqjen e Snezhana Manev.

“Të punësuari disa herë i janë drejtuar Këshillit Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë, por deri më tani kryetarja nuk ka asnjë sanksion. Në parashtresën e fundit të të punësuarve drejtuar Këshillit Gjyqësor, erdhën dy përfaqësues të tyre në Themeloren e Kumanovës dhe në vend që t’i mbrojnë të punësuarit, ata i kanë marrë në pyetje nëse janë nënshkrimet e tyre në ankesë! Ndërsa nënshkrimet e 75 të punësuarve ishin në letër. Kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor të merr masa të menjëhershme të parashtresave dhe t’i mbroj ata, e jo kryetarët e gjykatësit, të cilët e prishin imazhin e shtetit”, u shpreh Trpe Deanovski, Kryetar I Sindikatës SPOGJ .

" "

Nga Zyra e kryetares së Gjykatës reaguan me kumtesë, duke hedhur poshtë pretendimet e të punësuarve në atë institucion të drejtësisë. Manev citohet të ketë thënë se reduktimi i numrit të punësuarve ndër vite nga 165 në 115, shkaku i pensionimeve, emigrimit dhe arsye tjera, ka shtuar volumin e punës dhe riorganizimi ka irrituar të punësuarit që kanë shkaktuar revoltën.

“Unë jam gjykatëse për 21 vjet dhe 9 vjet jam Kryetare e Gjykatës Themelore në Kumanovë. Nuk kam pasur kurrë probleme me punonjësit ose me organizatën sindikale. Pretendimet se atmosfera e punës është prishur nga sjellja ime e paligjshme dhe e papërshtatshme ndaj punonjësve, se procesi i punës është prishur nga unë, gjë që ka shkaktuar frikë, trazira, si dhe pasiguri se çfarë do të ndodhë të nesërmen, janë plotësisht të pasakta dhe të pavërteta. Ata DUHET të jenë plotësisht të përkushtuar dhe të angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të tyre! Unë nuk pranoj asgjë më pak, as nuk bëj kompromise, pikë”, deklaroi Snezhana Manev, kryetare e Gjykatës themelore të Kumanovës.

Nga Kryetarja Manev në kumtesë apostrofohen edhe organizatorët e protestës si administratorja Marta Krashoviq, kryetari i sindikatës Srgjan Todoroviq, zyrtari Milton Manaki dhe disa të tjerë. Ajo thotë se sipas dispozitave të punës ka shqiptuar gjoba për moskryerje të detyrave, lëndë të cilat ende nuk janë të plotfuqishme derisa të shqyrtohen ankesat e Krashoviq dhe Manakit. Të punësuarit thonë se nuk do të ndalen së protestuari deri në dorëheqjen e kryetares Manev. (Tv21)

sqShqip