Nga ekzaminimi i dëshmive të sekuestruara nga Policia e Kosovës në rastin ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprën penale të spiunazhit, janë zbuluar prova të reja që konfirmojnë veprimtarinë e tij agjenturore.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, policia ka sekuestruar prej tij “22 fletore xhepi me shënime dorëshkrimi në gjuhën shqipe dhe serbe”.

Nga analizimi i këtyre fletoreve rezulton se i pandehuri ka mbajtur “të dhëna të shumta të natyrës konfidenciale që lidhen me sigurinë dhe politikën, përfshirë emra personash, numra telefoni, të dhëna operative dhe kalkulime financiare”.

Në shënimet e tij, policia ka identifikuar informacione specifikisht për objekte strategjike të Kosovës, ku përfshihet “infrastruktura kritike si Diga e Ujmanit”.

" "

Përveç infrastrukturës, në to përmbahen “referenca të drejtpërdrejta ndaj Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), si dhe të dhëna për veprimtarinë e agjentëve serbë dhe aktivitetet e institucioneve të sigurisë së Serbisë”.

Në dosje cenohet gjithashtu se i pandehuri mbante shënime të detajuara mbi “masat e vëzhgimit e survejimit ndaj personaliteteve politike shqiptare”.

Po ashtu, fletoret përmbajnë informacione të sistemuara për “ngjarje të sigurisë kombëtare dhe profilizimin e figurave të ndryshme vendore, serbe dhe ndërkombëtare”.

Sipas organit të akuzës, përmbajtja e këtyre shënimeve dëshmon një interesim të vazhdueshëm dhe të organizuar të Shehollit për mbledhjen, ruajtjen dhe sistemimin e informacioneve me karakter sigurie, duke konfirmuar ndërmarrjen e veprimeve tipike të spiunazhit. (Insajderi.org)

sqShqip