Spitali Klinik i Tetovës ka shënuar një moment të rëndësishëm me ndarjen e 109 vendimeve të punës për punonjës të rinj.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi, e ka cilësuar këtë një ditë historike për institucionin, duke theksuar se punësimet e reja do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.
“Ky është një hap i rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe për krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Tetovës dhe gjithë Pollogut”, ka shkruar Elezi.
Siç transmeton portali Lideri.mk, Elezi paralajmëron vazhdim të punësimeve edhe në vjeshtë.
Në deklaratën për ‘Lideri’ dhe disa media tjera prezente, Elezi tha se gjatë muajit shtator pritet hapja e konkurseve të reja për rreth 60 punëtorë, respektivisht për 25 administratorë, 12 punonjës teknikë dhe 22 specializantë. Krejt kjo, sipas tij, është në funksion që Spitali i Tetovës të bëhet Klinikë Universitare.
Ai u ka uruar punonjësve të rinj shëndet, mbarësi dhe suksese në ushtrimin e profesionit, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe profesionalizmit në punën e tyre.
“Me përkushtim dhe profesionalizëm, së bashku vazhdojmë të ndërtojmë një spital më të fortë dhe më cilësor”, ka deklaruar drejtori Elezi./Lideri

