Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, përveçse Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tani zyrtarisht i përkasin edhe Republikës së Kosovës, sepse përherë e palëkundur qëndruan për kombin dhe me popullin shqiptar. Joe e Shirley gjithnjë interesohen për zhvillimet në Kosovë dhe japin ide e kontribut të çmuar.
Në takimin e përzemërt që zhvilluam sot në Zyrën e Kryeministrit, i falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm për rreth katër dekada nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara te Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Sikurse edhe anëtarët e Bordit të Ligës, me të cilët zhvilluam një diskutim të këndshëm për angazhimin e tyre të vyer dhe përkushtimin e paepur për atdheun, si dhe për aktualitetet dhe të ardhmen.
Ish-kongresisti i parë amerikan me origjinë shqiptare, Joe DioGuardi, bashkë me plejadën e Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel, ishin nga zërat e hershëm dhe të fuqishëm mbështetës në kohët kur populli ynë kishte më së shumti nevojë të dëgjohej në botë.
Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA, andaj jemi përherë mirënjohës si shtet dhe popull.

