Çmimet e ushqimeve në botë mund të rriten ndjeshëm këtë vit.
Sipas Euronews, rritja më e madhe pritet për grurin, gjë që mund të çojë gjithashtu në çmime më të larta për bukën dhe makaronat. Firma britanike e analizave ekonomike Oxford Economics vlerëson se çmimet globale të ushqimeve do të rriten me 11.8 përqind në vitin 2026 dhe me 4.8 përqind të tjera në vitin 2027.
Çmimet e drithërave, frutave, perimeve dhe produkteve të qumështit pritet të rriten më shumë. Nxehtësia ekstreme dhe thatësirat po shkatërrojnë të korrat në të gjithë Evropën. Fermerët po përballen gjithashtu me çmime të larta të energjisë dhe plehrave, të cilat po preken nga luftërat në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
Pas një vale të nxehti në Evropë, tregtarët e drithërave dhe farërave vajore Coceral me seli në Bruksel uli në korrik parashikimin e tyre për korrjen e drithërave në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar nga 295.5 milionë ton në 286.6 milionë ton. Korrja e vitit të kaluar ishte 310 milionë ton.
Kostot e fermerëve po rriten gjithashtu për shkak të ndërprerjeve në furnizimin me naftë dhe lëndë të tjera të para të shkaktuara nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit për shkak të luftës në Iran. Çmimet globale të naftës ishin 36 për qind më të larta në korrik sesa një vit më parë, pjesërisht për shkak të bllokadës së Hormuzit. Oxford Economics pret që çmimet e plehrave të rriten me 22 për qind këtë vit.

