Shkup, 19.08.2026 – Sot, në kabinetin e tij të punës, rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, mirëpriti në një takim zyrtar kryeredaktoren dhe përgjegjësen e Servisit të Dytë të TVM2, programi në gjuhën shqipe, znj. Leunora Kaliqi, si dhe redaktorin e Programit Informativ të TVM2, z. Fatos Musliu.
Gjatë këtij takimi, rektori Fetaji i njoftoi mysafirët nga afër mbi ecurinë e përgatitjeve për procesin e regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2026/2027, interesimin e lartë të kandidatëve për të studiuar në tetë njësitë akademike të UNT-së, si dhe mbi zhvillimin e modernizimin e infrastrukturës universitare.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, rektori Fetaji, znj. Kaliqi dhe z. Musliu ranë dakord për finalizimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve publike. Kjo marrëveshje do të synojë promovimin e aktiviteteve akademike, mbështetjen e studentëve në fushën e medies dhe informimit, si dhe pasqyrimin e arritjeve arsimore e shkencore të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.

