Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, e cila në një prej seancave të thirrura në Kuvend të Kosovës e gjuajti me vezë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se pas saj nuk kishte asnjë skenar tjetër atë ditë.
Ajo deklaroi se aksioni ka qenë spontan dhe se s’ka pasur asnjë plan tjetër.
Sipas saj, arsyetimi i kryesuesit Avni Dehari se nuk po e thërret seancën e mund të ketë përplasje është thjesht manipulim,.
“Aksioni im ka qenë krejt spontan, nëse atë ditë kish ndodhë konstituimi i kuvendit s’ka pas gjuajti me vezë e s’ka pas as skenar tjetër.Kam marrë një aksion simbolik kushtin që ky njeri të respektojë Kushtetutën e Kosovës. S’ka pas skenar tjetër dhe është manipulim e po e shfrytëzojnë këtë manipulim për mos-thirrje të seancës.”, transmeton lajmi.net.
Ndryshe ditë më parë, kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, ka kërkuar nga partitë politike që të ulen në dialog dhe të arrijnë një marrëveshje për zhbllokimin e situatës institucionale.
Dehari në një postim në Facebook thekson se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike mund të çojë drejt përplasjeve të reja, madje edhe fizike si dhe në zgjedhje të parakohshme, e që siç tha ai duhet të evitohen.
Deklarimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit.
Pas qëndrimit të ri të LDK-së, mirëpres ftesat për takime të kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, si dhe ftesat e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, znj. Albulena Haxhiu, për partitë politike për një takim konsultativ.
Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve.
Prandaj, si Kryesues i seancës konstitutive, u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për Presidentin konsensual.
Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë.
Qytetarët e Kosovës janë thirrur të vendosin me votën e tyre tri herë brenda dy vjetëve të fundit. Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme./Lajmi.net/

