Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar Spartak Ngjela. Ai foli për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri, dialogun me Serbinë, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës, si dhe sfidat që, sipas tij, po përballen shqiptarët në këtë periudhë.
Ngjela vlerësoi se institucionet e Kosovës po veprojnë në funksion të forcimit të shtetit dhe zhvillimit ekonomik, pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga Serbia. Ai theksoi se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se garantohet nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prania ndërkombëtare.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, ai u shpreh se prioritet absolut duhet të mbetet mbrojtja e territorit dhe sovranitetit të Kosovës, duke nënvizuar se nuk duhet të ketë asnjë lëshim që cenon kufijtë e shtetit.
Avokati shqiptar komentoi edhe marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës, duke thënë se ato nuk janë në nivelin që kërkojnë interesat kombëtare. Sipas tij, ftohtësia në raportet mes dy qeverive vjen kryesisht nga Tirana, ndërsa kritikoi edhe qasjen e kryeministrit Edi Rama në raport me çështjen kombëtare.
Duke folur për situatën politike në Shqipëri, Ngjela i cilësoi protestat si një shprehje të ligjshme të pakënaqësisë qytetare dhe theksoi se ato janë pjesë e funksionimit të demokracisë. Ai shtoi se zhvillimet politike në Shqipëri nuk ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Në fund, Ngjela tha se prioriteti kryesor për Tiranën dhe Prishtinën duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit kombëtar në të gjitha fushat, nga arsimi dhe drejtësia deri te kultura dhe mediat, duke theksuar se shqiptarët kanë nevojë për një doktrinë të përbashkët kombëtare.
Gazeta “Bota sot”: Si i shihni marrëdhëniet mes Tiranës dhe Prishtinës? A mendoni se bashkëpunimi mes dy qeverive është në nivelin që presin qytetarët?
Spartak Ngjela: Niveli i marrëdhënieve Prishtinë–Tiranë nuk është ende atje ku duhej të ishte. Dhe kjo ndodh nga konflikti që kanë me njëri-tjetrin dy kryeministrat shqiptarë. Por ftohtësia vjen më shumë nga ftohtësia që po tregon Tirana, aktualisht.
Dhe duhet të kujtohemi se, ne ende nuk e kemi një arsye të analizuar qartë për ekzistencën e kësaj ftohtësie. Por natyrisht po kuptohet që, më shumë ndërkohë, kjo ftohtësi duket se po vjen nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gazeta “Bota sot”: Në Shqipëri po shohim protesta dhe një klimë të tensionuar politike. Sipas jush, a janë këto protesta shprehje e pakënaqësisë qytetare apo po instrumentalizohen politikisht?
Spartak Ngjela: Jo, ato janë shprehje e pakënaqësisë qytetare, dhe qytetarët kanë shumë të drejtë që të ngrihen në protestë, dhe na duhet ta theksojmë se demokracia dhe liria e individit për një shtet nënkupton lirinë e protestave.
Gazeta “Bota sot”: A mendoni se zhvillimet politike në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës? Pse?
Spartak Ngjela: Jo, zhvillimet politike në Shqipëri nuk ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin dhe në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Kosova është një shtet i pavarur dhe, më duhet të theksoj që Kosova sot ka karakter kombëtar të shqiptarisë më të ndritur se karakteri kombëtar i Shqipërisë, në këtë drejtim. Kjo ndodh dhe vjen politikisht si pasojë e mungesës së ideologjisë së pastër kombëtare, që po konstatohet se ka kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Gazeta “Bota sot”: Nëse do t’u jepnit një këshillë udhëheqësve politikë në Tiranë dhe Prishtinë, cili do të ishte prioriteti numër një për shqiptarët në këtë moment?
Spartak Ngjela: Prioriteti politik dhe kombëtar i Prishtinës dhe Tiranës në këtë periudhë historike, duhej të ishte bashkimi kombëtar si shqiptari në të gjitha drejtimet: në arsimin e lartë, në marrëdhënien e ngushtë juridike me një doktrinë të përbashkët të shqiptarisë midis Tiranës dhe Prishtinës; në arsimin e lartë universitar; në programet televizive të përbashkëta; në ngritjen e kinematografisë së re shqiptare; në teatër etj.
Dhe pyetja që ngrihet këtu është kjo:
Kush po e pengon krijimin e një doktrine të përbashkët të shqiptarisë midis Tiranës dhe Prishtinës?!
Për mendimin tim: dobësi në këtë çështje ka edhe Tirana, edhe Prishtina, por pengesa sot duket se po vjen më shumë nga Tirana, me qeverinë Rama.
Gjithsesi, koha shumë shpejt do ta shprehë edhe më qartë këtë çështje.

