Etem Xheladini
Ka ardhur një kohë paradoksale, në të cilën jo gjithmonë shfaqet fytyra e vërtetë e njeriut. Në shoqërinë shqiptare, kudo në trojet shqiptare, kjo dukuri po dëshmohet edhe në mënyrën se si, prej më shumë se tri dekadash, një pjesë e politikëbërësve na përfaqësojnë përmes subjekteve të ndryshme politike, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë. Në një realitet të tillë, imazhi shpesh vendoset përpara karakterit, paraqitja përpara përmbajtjes dhe propaganda përpara së vërtetës.
Më shqetësuese është kur meritat e individëve dhe të brezave të tërë përvetësohen nga ata që nuk kanë guximin apo vullnetin ta ndërtojnë emrin e tyre përmes punës, dijes, sakrificës dhe ndershmërisë, pikërisht atëherë kur koha dhe nevoja kërkojnë dëshmi konkrete. Njeriu i mençur dhe i madh në karakter nuk ka nevojë të fshihet pas një maske. Fytyra e vërtetë e njeriut është pasqyra e karakterit të tij. Një thënie e urtë na kujton: “Fytyrat e vërteta shkëlqejnë edhe në errësirë, jo vetëm në dritë.”
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet karakterit dhe fasadës. Njeriu i vërtetë nuk ka nevojë për skenë, zhurmë apo duartrokitje për ta dëshmuar vlerën e tij. Jeta u jep njerëzve raste të rralla për ta treguar fytyrën e tyre të vërtetë. Shkollat, fakultetet dhe universitetet nuk hapen çdo ditë për të dëshmuar dijen, periudhat e vështira, sfidat historike dhe momentet vendimtare nuk përsëriten sipas dëshirës sonë. Ato vijnë atëherë kur i kërkon koha dhe nevoja. Lufta për liri, për çlirim nga thundra e robërisë, për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe për të drejtat elementare nuk janë rrethana të zakonshme të jetës. Pikërisht në këto momente njeriu ka mundësinë të tregojë se kush është në të vërtetë. Ai që ka kontribuar me kohë nuk ka nevojë të flasë shumë për veten. Për të flasin veprat. Ai njihet edhe në heshtje, në ditë të vështira, në kohë lufte e paqeje, atëherë kur askush nuk e duartroket dhe kur asnjë kamerë nuk është e drejtuar nga ai.
Përballë këtyre njerëzve, sot qëndrojnë edhe disa politikëbërës dhe militantë partiakë me fytyra të rrejshme, pavarësisht se cilit subjekt politik i përkasin. Janë ata që përpiqen ta ndërtojnë madhështinë e tyre mbi punën e të tjerëve, që marrin merita për atë që nuk e kanë bërë; që e paraqesin kontributin e tjetrit si sukses të tyre dhe përpiqen ta shndërrojnë atë në dëshmi të aftësive të veta. Kjo nuk është thjesht çështje e karakterit individual. Është një deformim moral dhe shoqëror, i cili dëmton besimin, drejtësinë, dinjitetin dhe vlerat mbi të cilat duhet të ndërtohet një shoqëri e shëndoshë shqiptare, kudo në trojet ku jetojnë shqiptarët.
Sepse njeriu pa fytyrë nuk ta thyen vetëm fjalën; ai mund t’ua thyejë njerëzve edhe shpirtin. Ai lë pas zhgënjim, padrejtësi dhe një ndjenjë të hidhur se ndershmëria, sakrifica dhe puna e palodhur po shpërblehen më pak se maska, propaganda dhe aftësia për t’u paraqitur ndryshe nga ajo që je. Të moshuarit, me urtësinë që ua kishte mësuar jeta, thoshin: “Sa më larg njerëzve pa fytyrë!” Ndoshta kjo këshillë është sot më aktuale se kurrë. Njeriu i rrejshëm mund të mashtrojë për një kohë, mund të marrë duartrokitje, të fitojë vëmendje dhe madje edhe merita që nuk i takojnë. Por ekziston diçka që nuk mund të falsifikohet përgjithmonë, vepra dhe e vërteta. Ato mund të vonohen, mund të heshtin për një kohë, por në fund dalin në dritë. Prandaj, në këtë kohë pa kohë, kur disa politikëbërës dhe militantë partiakë, pa ndonjë meritë të dëshmuar për kauzën kombëtare, përpiqen të duken më të mëdhenj se ç’janë, është koha e fundit që shoqëria t’u japë hapësirë dhe respekt njerëzve që kanë punuar në heshtje. Njerëzve që nuk ua kanë vjedhur meritat të tjerëve. Njerëzve që nuk e kanë ndërtuar lavdinë e tyre mbi sakrificën e dikujt tjetër.Njerëzve që kanë ditur të qëndrojnë të njëjtë edhe atëherë kur askush nuk i ka parë, nuk i ka duartrokitur dhe nuk i ka shpërblyer. Pikërisht për këta njerëz ka më së shumti nevojë shoqëria shqiptare sot.
Sepse titujt mund të fitohen, lavdia mund të sajohet, propaganda mund të ndërtojë përkohësisht imazhe. Meritat mund të përvetësohen, por karakteri nuk mund të falsifikohet përgjithmonë.
Në fund, koha i ndan politikëbërësit nga fytyrat me të cilat janë paraqitur; zhurmën që kanë bërë nga veprat që kanë lënë pas, dhe pretendimet nga vlerat që realisht kanë poseduar.
Fytyrat e vërteta të atyre që kanë kontribuar në arsim, në humanizëm dhe në kauzën kombëtare, në kohë të vështira, në luftë dhe në paqe, nuk kanë nevojë të shpallen me zë të lartë. Ato dëshmohen përmes veprave, sakrificës dhe gjurmëve që kanë lënë në shoqëri. Dhe sado që dikush, për interesa politike apo personale, përpiqet t’i errësojë këto fytyra, e vërteta nuk mund të mbulohet përgjithmonë.
Sepse fytyrat e vërteta nuk kanë frikë nga errësira. Ato shkëlqejnë edhe në errësirë.

