Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar mbi deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i cili gjatë qëndrimit të tij në Serbi tha se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj mbi mosnjohjen e Kosovës.

Përmes një postimi në “X”, Konjufca i kujtoi Zelenskyt pozicionimin e menjëhershëm të Kosovës në favor të Ukrainës pas sulmeve ruse.

“Marrim me keqardhje në konsideratë deklaratat e Presidentit Zelenskyy në Beograd, ku riafirmoi mosnjohjen nga Ukraina të Republikës së Kosovës.Që nga dita e parë e agresionit të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa asnjë ekuivok krah Ukrainës. Ne dënuam pushtimin, u përafruam plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), vendosëm sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ofruam ndihmë humanitare dhe strehim për gazetarë ukrainas, si dhe kontribuuam me ndihmë dhe stërvitje ushtarake në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës. Ne e bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të tij është çështje parimi”, ka shkruar Konjufca në “X”.

sqShqip