Pas një viti në pozitën drejtuese, por me 15 vjet përvojë brenda institucionit, drejtoresha e
Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, mr. Ana Mihajlov, në intervistë ekskluzive
për portalin Lideri.mk, rrumbullakëson një bilanc të arritjeve gjat kësaj periudhe. Nga rikthimi i besimit të humbur te Komisioni Evropian dhe te përfituesit, si dhe ndërtimi i meritokracisë, deri te puna në terren në çdo cep të vendit, Mihajlov tregon se si Erasmus+ pushoi së qeni privilegj i individëve dhe u shndërrua në një mundësi reale për çdo të ri. Në këtë intervistë flasim për rikthimin e besimit, shfrytëzimin rekord të fondeve,
fokusin te përfshirja dhe vizionin për një institucion që i mban të rinjtë në vend përmes dijes dhe
punës.

Lideri: Kur bëni bilancin e 365 ditëve të kaluara, cili është suksesi apo “pika e kthesës” më
domethënëse për të cilën jeni më krenare si drejtuese e Agjencisë Nacionale për Programe
Arsimore Evropiane dhe Mobilitet?

Mihajllov: Për mua, ky ishte një vit i mbushur me shumë arsye për krenari. Me 15 vjet përvojë të
mëparshme si e punësuar në Agjencinë Nacionale, udhëheqja ime mbështetet në njohjen e thellë
të sistemit nga brenda. Falë kësaj, që në fillim, pa pasur nevojë për përshtatje shtesë, munda të
nis menjëherë zbatimin efikas të ndryshimeve të nevojshme.
Përmes punës së përbashkët dhe ndërtimit të besimit të ndërsjellë me ekipin, pata mundësinë t’i
përmirësoj drejtpërdrejt të gjitha ato procese për të cilat më herët kisha vërejtur se kishin
hapësirë për përparim.
Si sukses kyç gjatë vitit të kaluar do të veçoja rritjen e konsiderueshme të shkallës së shfrytëzimit
të fondeve evropiane përmes programit Erasmus+ dhe Korpusit Evropian të Solidaritetit.
Nëpërmjet kësaj siguruam mundësi të drejtpërdrejta për një numër dukshëm më të madh
qytetarësh tanë.
Sot, Agjencia Nacionale ka një profil të dallueshëm, një imazh prestigjioz dhe vëmendje të
sinqertë ndaj potencialit arsimor dhe krijues maqedonas, gjë që dëshmohet më së miri nga
reagimet pozitive të përfituesve dhe aplikantëve potencialë. Arritëm ta rrisim dukshëm cilësinë e
projekteve, duke u mundësuar institucioneve tona që më në fund të jenë partnerë të barabartë dhe
aktivë në rrjetet evropiane. Por, sigurisht, nuk ndalemi këtu; ky është vetëm fillimi.

" "

Lideri: Cila ishte sfida më e madhe me të cilën u përballët gjatë këtij viti të parë dhe si arritët ta
kapërcenit?
Mihajllov:
Fillimi ishte jashtëzakonisht i vështirë, para së gjithash sepse më herët ishte humbur besimi, si te Komisioni Evropian dhe institucionet, ashtu edhe te përfituesit, gjë që për ne ka rëndësinë më të
madhe. Megjithatë, me punë të palodhur dhe përkushtim, e rikthyem atë besim hap pas hapi; dhe
kjo është diçka për të cilën jam vërtet shumë krenare.

Kjo pozitë sjell sfida të mëdha, por në jetë dhe në punë udhëhiqem gjithmonë nga parimet etike.
Arrita të vendos në Agjencinë Nacionale një sistem të bazuar në meritokraci. Kur puna
organizohet në mënyrë të përsosur, presionet e jashtme thjesht nuk gjejnë hapësirë, ndërsa kriteri
i vetëm bëhet cilësia e vetë idesë dhe e projektit.
Një sfidë shtesë për mua ishte ta thyeja paragjykimin se funksioni i drejtoreshës nënkupton
vetëm “dhënie urdhrash nga lart”. Udhëheqja nuk është imponim, por përgjegjësi. Prandaj, çdo
ditë përpiqem të jem shembull dhe t’i ofroj mbështetje ekipit tim, sepse vetëm kështu ndërtohet
një sukses i qëndrueshëm dhe i përbashkët.
Besoj se besimi ndërtohet vetëm përmes veprimeve konsekuente. Qëllimi im është që çdo
aplikant të ndihet i sigurt dhe ta dijë se puna e tij vlerësohet siç duhet, ndërsa treguesi më i madh
i suksesit tonë janë pikërisht historitë e shumta të suksesit të përfituesve tanë gjatë vitit të kaluar.

Lideri: Cili ishte fokusi juaj kryesor gjatë vitit të kaluar?
Mihajllov:
Pa dyshim, fokusi ishte te demistifikimi i rregulloreve evropiane, transparenca e plotë dhe
shfrytëzimi i përgjegjshëm i fondeve evropiane.
Vizioni im është që programi Erasmus+ dhe të gjitha mundësitë evropiane të mos jenë privilegj
vetëm për disa, por të bëhen realisht të qasshme për këdo që ka dëshirë dhe potencial për
përparim. Pikërisht për këtë arsye, bashkë me ekipin tim jemi vazhdimisht në terren; nuk presim
që përfituesit të vijnë tek ne për t’u informuar.
Nuk jam një drejtore që rri e mbyllur në zyrë. Jemi të pranishëm edhe në vendbanimet më të
vogla, me qëllim që t’ua ofrojmë nga afër të gjitha mundësitë atyre që kanë një ide të mirë dhe
duan të bëhen përfituesit tanë.
Më tej, gjatë vitit të kaluar ndërtuam partneritete të forta me të gjitha institucionet përkatëse në
fushën e arsimit, trajnimit, rinisë dhe sportit, si dhe me Delegacionin e Bashkimit Evropian.
Besoj thellësisht se vetëm përmes një vizioni të përbashkët dhe bashkëpunimit ndërtohet një
arsim modern evropian.

Lideri: Sa pjesëmarrës, nxënës, mësimdhënës dhe organizata u përfshinë dhe a vëreni rritje të
interesit të të rinjve në krahasim me vitin paraprak?
Mihajllov:
Rritja e interesit është e dukshme dhe ky është një tjetër segment për të cilin jam jashtëzakonisht krenare. Gjatë vitit të kaluar zhvillova më shumë se 250 takime individuale me përfitues aktualë
dhe potencialë, si dhe mbi 50 ngjarje të ndryshme në shumë komuna, përfshirë edhe zonat rurale,
me qëllim promovimin e programit, prezantimin e praktikave të mira dhe dëshmimin në praktikë
se mekanizmat funksionojnë. Si rezultat, numri i aplikimeve është rritur me më shumë se 100 për qind! Edhe pse këtë vit
kishim në dispozicion buxhetin më të madh deri më tani – 8,2 milionë euro të destinuara për
përfituesit – për shkak të interesit jashtëzakonisht të madh, këto mjete sërish nuk mjaftojnë për t’i
mbuluar të gjitha aplikimet cilësore. Megjithatë, kjo është një shtysë shtesë që të negociojmë me
Komisionin Evropian për sigurimin e një buxheti më të madh në vitet e ardhshme. Po punojmë
intensivisht për ndërtimin e një modeli përmes të cilit do t’i tregojmë Bashkimit Evropian se
Maqedonia e Veriut ka kapacitet, ka vullnet dhe meriton të ketë një Agjenci të standardit më të
lartë evropian.

Lideri: Një nga shtyllat kyçe të Erasmus+ është përfshirja. Çfarë hapash ndërmorët në këtë
drejtim?
Mihajllov:
Gjatë vitit të kaluar i kushtuam vëmendje të veçantë përfshirjes, përkatësisht përfshirjes së
kategorive më të cenueshme, të cilat ndoshta më herët nuk kishin guximin apo mundësinë e
mjaftueshme për të marrë pjesë në programin Erasmus+. Rezultatet tashmë janë të dukshme: në
raportin më të fundit të Komisionit Evropian, përfshirja është veçuar si pika më e ndritur në
zbatimin e programit tonë Erasmus+, me vlerësim për përpjekjet e Agjencisë për përfshirjen e
barabartë të personave me aftësi të kufizuara dhe nevoja të veçanta.
Përfshirjen e kuptoj si politikë aktive. Nuk presim që njerëzit të vijnë tek ne, por shkojmë ne tek
ata që kanë më pak mundësi, për t’ua dëshmuar se ideja e tyre ka vlerë. Kemi nisur edhe fushatën
e titulluar “Të gjithë kanë dëgjuar për Erasmus+”, përmes së cilës vizitojmë edhe zonat më të
thella rurale, duke përcjellë praktika të mira dhe duke i inkurajuar qytetarët të aplikojnë. Dua t’i
shemb të gjitha barrierat, sepse, pavarësisht se nga cili mjedis vini, para Agjencisë Nacionale të
gjithë duhet të kenë pozita të barabarta fillestare.

Lideri: Çfarë vijon në agjendën tuaj dhe cili është vizioni juaj për Agjencinë Nacionale deri në
fund të mandatit?

Mihajllov: Qëllimi im parësor është që pas vetes të lë një kornizë plotësisht funksionale, në të cilën çdo
aplikant do të ketë kushte të njëjta e të drejta në Erasmus+, të mbrojtura nga çfarëdo presioni të
jashtëm. Dua që mandati im të njihet për humanizimin e institucionit: ta shndërrojmë fuqinë
administrative në vlerë shoqërore të dukshme dhe reale. Agjencinë Nacionale e perceptoj si një
strehë inovative, ku krijimtaria jo vetëm që mbështetet financiarisht, por edhe kultivohet dhe vlerësohet me
sinqeritet. Suksesi im më i madh do të jetë nëse arrijmë t’ua hapim përgjithmonë dyert të gjithë të rinjve
dhe t’ua rikthejmë shpresën se, me dije, punë dhe ide cilësore, mund të kenë sukses edhe këtu, në vendin e tyre./Lideri

sqShqip