Sot, më 28 korrik 2026, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut organizoi takimin tradicional me imamët, drejtuesit dhe përfaqësuesit e qendrave islame shqiptare nga diaspora, me qëllim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe koordinimin e veprimtarisë fetare në shërbim të besimtarëve tanë në mërgatë.
Takimi u mbajt në ambientet e Medresesë “Isa Beu” në Kondovë, nën patronazhin e Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Reisul Ulemasë H. Hfz. Shaqir ef. Fetai. Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Myftiu i Shkupit Dr. Qenan ef. Ismaili, Myftiu i Tetovës Dr. Hfz. Selver ef. Xhemaili, Myftiu i Kumanovës H. Abedin ef. Imeri, Drejtori i Medresesë “Isa Beu” Dr. Islam ef. Islami, drejtorët e sektorëve të Rijasetit, si dhe imamë e përfaqësues të shumtë të diasporës shqiptare nga vende të ndryshme të Evropës. Organizimin e takimit e koordinoi Drejtori për Diasporë, Mr. Mafiz ef. Rustemi.
Programi u moderua nga Drejtori për Kulturë dhe Shkencë pranë Bashkësisë Fetare Islame, Mr. Musanif ef. Rufati, i cili udhëhoqi rrjedhën e aktivitetit. Takimi filloi me leximin e ajeteve nga Kur’ani Famëlartë nga Nimetullah ef. Veseli, imam në Xhaminë “Mekka” në Schaffhausen të Zvicrës.
Të pranishmit i përshëndetën me fjalët e tyre Drejtori për Diasporë, Mr. Mafiz ef. Rustemi, Drejtori i Medresesë “Isa Beu”, Dr. Islam ef. Islami, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ), Dr. Besim Nuzi, Kryetari i Unionit të Xhamive Shqiptare në Gjermani, Mensur ef. Halili, Kryeimami i Bashkësisë Islame Shqiptare në Austri (ALKIG), Emin ef. Limani, Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Shqiptare në Itali, Dr. Reshat ef. Ibishi, Kryetari i Federatës së Xhamive Shqiptare në Belgjikë, dhe hoxhollarë nga Danimarka.
Në fjalimin e tij, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai vlerësoi lart kontributin e diasporës shqiptare në ruajtjen e fesë, identitetit kombëtar dhe lidhjes së pandërprerë me atdheun. Ai theksoi se imamët dhe qendrat islame në diasporë kanë një rol të pazëvendësueshëm në edukimin fetar të brezave të rinj, në kultivimin e vlerave islame dhe kombëtare, si dhe në forcimin e lidhjeve institucionale me Bashkësinë Fetare Islame.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat dhe nevojat e komuniteteve islame shqiptare në diasporë, mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, koordinimin e aktiviteteve fetare, arsimore dhe kulturore, si dhe projektet e përbashkëta që synojnë ruajtjen e identitetit islam dhe kombëtar të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit.
Në përmbyllje të aktivitetit, Reisul Ulema ndau mirënjohje për përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave islame të diasporës, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm me Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Takimi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe konstruktive, duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për forcimin e unitetit, bashkëpunimit dhe shërbimit ndaj besimtarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë.

Video ne LINK: https://www.facebook.com/share/r/1DAg3kEyZH/https://www.facebook.com/share/r/1DAg3kEyZH/

sqShqip