Që opozita shqiptare të marrë shembull nga opozita maqedonase!
Nga Anisa Bahiti
4 vite më parë, partia kryesore e opozitës në Maqedoninë Veriore VMRO-DPMNE, humbi gati të gjitha bashkitë në territor përfshi dhe ato historiket. Ishte humbja e parë për Nikolla Gruevskin që nga 2006 kur kishte ardhur në pushtet. Dha dorëheqje, u përball me sulme dhe procese juridike, u dënua dhe u largua nga Maqedonia në Hungari ku jeton edhe sot.
Partia e tij, u anatemua nga ndërkombëtarët, u dobësua dhe u mendua që nuk do ta ngrinte më kokën kurrë. Organizoi zgjedhje të brendshme dhe Christian Mickoski u zgjodh me vote Sekretari i pergjithshem vënd të Gruevskit . Kryesia u bë me njerëz të rinj por edhe me kontribute dhe vote në parti dhe në elektorat. Ata mbajtën qasjen e tyre doktrinare të një force politike të krijuar në 1903 dhe antiregjim në kohën e komunizmit. Gjithashtu ata u larguan nga ekstremizmi politik i kohës së Gruevskit, por nuk e sulmuan kurrë atë personalisht.
Ata, si anëtare të partive popullore evropiane, ndoqën një axhendë properëndimore por ndërkohë larguan nga drejtimi dhe nga partia të gjithë drejtuesit e korruptuar të kohës së pushtetit me në krye Sasho Mihajllkovin ish shefin e shërbimit sekret që sot është në burg.
Ata u bashkuan në një axhendë me opozitën shqiptare Zijadin Selen dhe Alternativën me të cilët kishin qenë në luftë politike. Ata i bashkoi lufta kundër korrupsionit dhe axhenda qytetare për integrim. Pavarësisht se humbën zgjedhjet Presidenciale për pak para 2 vjet e gjysmë, ata patën një rezultat të mirë në zgjedhjet e përgjithshme vitin e shkuar dhe triumfuan në 2021 në zgjedhjet vendore. Ata u rinovuan, u bashkuan me veten, qytetarët dhe opozitën shqiptare dhe triumfuan.
Pavarësisht se Zaevi është lideri që ka pasur mbështetjen më të madhe ndërkombëtare të mundshme në historinë e Maqedonisë, ai humbi thellë.
Këto mesazhe duhet t’i marrë opozita shqiptare e cila kalon nga humbja në humbje, e përçarë mes vetes dhe aleatëve, pa besueshmëri ndërkombëtare, pa program dhe objektiva , dhe tërësisht nën kontrollin e oligarkisë vendase, ka gjasë ta ketë të gjatë jetën në opozite. Le te marrin shembull opozitën maqedonase!