Sipas rezultateve të analizave të mostrave të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, uji në Gostivar aktualisht është i papërshtatshëm si për pije, ashtu edhe për përdorim teknik. Qytetarëve u bëhet thirrje që t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve kompetente dhe, deri në një njoftim të ri, të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit.
Kjo ishte një nga çështjet e diskutuara në mbledhjen e sotme të Shtabit Kryesor pranë Qendrës për Menaxhimin e Krizave, e kryesuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, transmeton portali Lideri.mk.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe informacione të tjera lidhur me gjendjen e furnizimit me ujë në Komunën e Gostivarit, me ç’rast u miratuan disa konkluzione dhe masa për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Shtabi Kryesor e obligoi Komunën e Gostivarit që urgjentisht të propozojë lokacione dhe persona përgjegjës për ngritjen e pikave të shpërndarjes së ujit teknik për objektet me rëndësi jetike.

Njëkohësisht u theksua se Instituti i Shëndetit Publik, NP “Ujësjellësi” – Shkup dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të vazhdojnë me kontrolle të shtuara në terren për cilësinë e ujit, ndërsa rezultatet do t’ia dorëzojnë rregullisht Shtabit Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza.
– Armata e Maqedonisë ka vënë në gatishmëri dy cisterna për shpërndarjen e ujit teknik, të cilat do të angazhohen nëse Shtabi Kryesor vlerëson se kjo është e nevojshme. Në koordinim me Komunën e Gostivarit, Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Qendrën e Shëndetit Publik Tetovë–Gostivar, Qendra për Menaxhim me Kriza do të vazhdojë ta informojë me kohë opinionin për të gjitha masat, rekomandimet dhe aktivitetet që lidhen me përdorimin e ujit – thuhet nga QMK.
Përveç kësaj, komunat e Kumanovës, Tetovës, Dibrës, Kërçovës, Kavadarit dhe Negotinës do të sigurojnë ujë teknik me cisternat e tyre për nevojat e qytetarëve të Komunës së Gostivarit, në pikat e përcaktuara paraprakisht.
Në përputhje me vendimin e Qeverisë, Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta do të vazhdojë me shpërndarjen e ujit të pijshëm për qytetarët e Komunës së Gostivarit.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të Komunës së Gostivarit që t’i respektojnë me përpikëri rekomandimet e institucioneve kompetente dhe të ndjekin informacionet zyrtare që do të publikohen gjatë ditës. /Lideri.mk

sqShqip