Qeveria, në mbledhjen e sotme, miratoi vendim me të cilin përcaktohen llojet e energjive, periudha kohore, si dhe mënyra e llogaritjes së akcizës. Ulja e akcizës për benzinën dhe dizelit, si masë e ndërmarrë në kohë, thonë nga Qeveria, synon të zbusë pasojat e rritjes së çmimeve në bursat ndërkombëtare dhe të mbrojë standardin jetësor të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë periudhës së fundit është evidentuar një mesatare e lartë e kuotimeve të naftës së papërpunuar dhe derivateve të saj në tregjet botërore. Qeveria po e ndjek vazhdimisht situatën, kryen analiza ditore të lëvizjeve të çmimeve dhe mbetet plotësisht e përkushtuar në ndërmarrjen e masave të shpejta dhe aktive për të zbutur presionin ndaj qytetarëve dhe ekonomisë”, thonë nga Qeveria.
Me vendimin e miratuar për uljen e akcizës bëhet e mundur të amortizohet një pjesë e rritjes së çmimeve. Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, pa këtë ndërhyrje, çmimi me pakicë i benzinës do të rritej me rreth 4 denarë për litër, ndërsa me këtë masë pritet që rritja të jetë rreth 3 denarë për litër.
Sa i përket naftës, pa vendimin e Qeverisë çmimi do të rritej me rreth 8 denarë për litër, ndërsa me akcizën e ulur pritet një rritje prej rreth 6 denarësh për litër.
“Qeveria pret që Komisioni Rregullator për Energjetikë, në përputhje me kompetencat e tij ligjore, të miratojë vendimin për çmimet e reja me pakicë të karburanteve, ndërsa efektet e kësaj mase qeveritare do të bëjnë që qytetarët të vazhdojnë të paguajnë çmime më të ulëta sesa do të ishin pa këtë ndërhyrje”, thonë nga Qeveria.

