Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në fshatin Orizare të Komunës së Likovës ka filluar me punë pasi qëndroi e mbyllur për mbi një vit, ndërkaq procedurat për rihapjen e saj u zvarritën vazhdimisht, shkruan Portalb.mk.
Qendra e cila u rihap në muajin mars funksionon nën menaxhimin e Shoqatës “Blue Puzzle”, në bashkëpunim me Komunën e Likovës dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Koordinatori i qendrës, Adem Ademi, për Portalb.mk, ka bërë të ditur se aktualisht në këtë qendër marrin shërbime 25 fëmijë nga Komuna e Likovës dhe Komuna e Kumanovës.Fëmijët përfitojnë nga qëndrimi ditor, si dhe nga trajtime individuale dhe grupore të përshtatura sipas nevojave dhe mundësive të tyre.
“Qendra ditore për fëmijët me nevoja të veçanta ka rifilluar punën me qëllim që t’u ofrojë fëmijëve mbështetje profesionale dhe një mjedis të sigurt e gjithëpërfshirës. Fëmijët përfitojnë nga qëndrimi ditor, si dhe nga trajtime individuale dhe grupore të përshtatura sipas nevojave dhe aftësive të tyre. Gjatë kësaj periudhe kemi vërejtur rezultate pozitive në zhvillimin e fëmijëve, veçanërisht në komunikim, socializim, pavarësi dhe aftësi funksionale”, tha Ademi.
Ai shtoi se shërbimet në qendër ofrohen nga një ekip profesional i licencuar, i përbërë nga edukatorë specialë dhe rehabilitatorë (defektologë), psikologë, logopedë dhe përkujdesës, të cilët punojnë për të siguruar përkrahje të vazhdueshme për fëmijët dhe familjet e tyre.
Përndryshe, Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në Orizare qëndroi e mbyllur disa muaj pasi Komuna e Likovës dhe Organizata Joqeveritare (OJQ) “Imago Plus” nuk e vazhduan bashkëpunimin. Gjatë kësaj periudhe, fëmijët me nevoja të veçanta mbetën pa shërbime të përkujdesjes ditore dhe trajtime profesionale, deri në riorganizimin e funksionimit të qendrës përmes marrëveshjes me Shoqatën “Blue Puzzle”.
LEXO: Qendra për fëmijët me nevoja të veçanta në Likovë mbetet e mbyllur, komuna nuk aplikoi për fonde në ministri“
Qendra për përkujdesje dhe trajtim të fëmijëve me nevoja të veçanta” në fshatin Orizare u hap më 26 korrik 2021, ky projekt është një nga premtimet parazgjedhore 2021/2025 nga Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, dhe për realizimin e saj u investuan gjithsej 100 mijë euro.

