Bëhet fjalë për Eduard Dervishajn. Ai vazhdon të shkruajë histori si një nga shqiptarët më të suksesshëm në administrimin e futbollit evropian. Me një karrierë të gjatë në Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit, ai ishte pjesë e delegacionit të kombëtares së Spanjës, e cila u shpall kampione e Kupës së Botës 2026, transmeton albinfo.ch.
I lindur dhe i rritur në Tiranë, Dervishaj jeton në Spanjë që nga viti 1997. Gjatë viteve ka mbajtur poste të rëndësishme në federatën spanjolle, deri në pozitën e zëvendëssekretarit, ndërsa aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të Departamentit Ndërkombëtar dhe Operacioneve.
Pas triumfit të Spanjës në Botëror, 65-vjeçari publikoi në rrjetet sociale fotografi me trofeun e Kupës së Botës dhe trajnerin Luis de la Fuente, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kontribuuan në këtë sukses. Ai theksoi se pati privilegjin të ishte pjesë e Botërorit të tij të dytë.
Karriera e Dervishajt përfshin edhe organizimin e katër finaleve të Ligës së Kampionëve, ndërsa vitin e kaluar ai u emërua drejtues i projektit organizativ të Kupës së Botës 2030, që do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.
Para se të ndërtonte karrierën e tij në Spanjë, Eduard Dervishaj dha një kontribut të rëndësishëm edhe në futbollin shqiptar. Ai ishte sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit në periudhën 1992–1996, ndërsa më herët ka punuar edhe si trajner i Dinamos së Tiranës.
Suksesi i tij përbën një tjetër histori frymëzuese të shqiptarëve që kanë arritur të zënë role të rëndësishme në institucionet më prestigjioze të futbollit ndërkombëtar. /Albinfo.ch

